Prej një muaji, mediat në Zvicër dhe jo vetëm, shkruajnë për shqiptarin Adrian Shajkofci. Ai ka shpikur një pajisje autonome, e quajtur CoronaSense, e cila mundëson matjen e temperaturës së punonjësve ose vizitorëve e klientëve nëpër kompani, duke synuar të japë një dorë ndihmë në luftën kundër koronavirusit. Pajisja është e menduar për biznese, shkolla ose organizime.
I lindur dhe i rritur në Zvicër, Shajkovci ka përfunduar studimet e larta në Saint-Maurice (Valis, Zvicër), pastaj ka studiuar bio-inxhinieri në EPFL (Lozanë, Zvicër). Dhe tani po punon për doktoraturën në elektronikë.
Babai i Adrianit është me origjinë shqiptare ndërsa nëna nga Fribourg-u.
Në një intervistë për “Albinfo.ch”, Adriani përshkruan pajisjen e tij,
“Është një pajisje autonome, e quajtur CoronaSense, e cila mundëson matjen e temperaturës së punonjësve ose vizitorëve. Pajisja është e menduar për biznese, shkolla ose organizime për të parandaluar shpërndarjen e Covid-19. Ajo paraqitet si një kuti e vogël, e vendosur në këmbë ose kundrejt një muri ndaj të cilës përdoruesi paraqet ballin. Pas një sekonde, pajisja sjell një diagnozë duke krahasuar të dhënat e pranuara në një databazë të masave tjera dhe parametrave tjera siç është temperatura e mjedisit, moti, distanca mes aparatit dhe përdoruesit si dhe matjet e mëhershme. Është e mundur që të integrohen bexhet e hyrjes së kompanisë për njoftime personale.”– thotë shqiptaro-zvicerani.
Ai shton: “Është sistem i thjeshtë por efikas i cili përqendrohet në elementin më thelbësor, që është saktësia e diagnozës. Risi kryesore është ndjekja e personalizuar e temperaturave. Në fakt, për arsye të dallimeve fiziologjike, temperatura e trupit dallon në mes të individëve. Pajisja ime mundëson ruajtjen e një gjurme për secilin person dhe vendosjen e një nivelit të alarmit individual të temperaturës. Po ashtu, pajisja është e lidhur përmes valëve dhe mund të dërgoj njoftime përmes email, sms, mund të hap dyer ose të dërgoj alarme. Për më tepër, është e mundur nxjerrja e raporteve orare ose ditore. Funksione me komplekse janë të programueshme nga një bazë të kontrollit e cila është e thjeshtë për t’u përdorur. Nuk e kam patentuar sepse nuk kemi të bëjmë me një shpikje teknike në veti por një kombinim i besueshëm dhe i përballueshëm i teknologjive ekzistuese”.
Adrian Shajkofci thotë se është i hapur për të punuar me kompani shqiptare. Ai i mban lidhjet me kulturën shqiptare përmes babait të tij, dhe vjen për pushime në Kosovë dhe Shqipëri.