“Dita e parë e majit më të vështirë të Shqipërisë demokratike”, e cilëson sot Kryeministri Edi Rama këtë 1 maj, Ditën Ndërkombëtarë të Punëtorëve.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video, në fokus të së cilës janë pikërisht ata, heronjtë e heshtur të cilët janë çdo ditë në vijën e parë në këto kohë të vështira në luftën ndaj COVID-19.
” Mirëmëngjes, në ditën e parë të Majit më të vështirë të Shqipërisë demokratike, në 1 Majin më domethënës të punës së mijëra e mijëra heronjve të heshtur të këtij vendi, falë të cilëve Shqipëria po lufton, reziston, fiton”, shprehet Rama.
Kryefjalë e këtij video mesazhi të publikuar nga Rama në këtë 1 Maj, janë bluzat e bardha, por edhe efektivët e Policisë së Shtetit, Forcat e Armatosura që janë të angazhuar 24 orë në 7 ditë të javës duke u ardhur në ndihmë njerëzve më në nevojë dhe duke siguruar respektimin e masave kundër COVID-19, punonjësit e dezinfektimit në të gjithë vendin, mësuesit si dhe të rinjtë vullnetarë.