Ministria e Shëndetësisë ka bërë përditësimin e situatës së Covid-10 në vendin tonë. Për 24 orët e fundit vihet re një ulje e numrit të të infektuarve. Më saktësisht, janë kryer 236 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 8 raste të reja, 2 prej të cilave janë personel shëndetësor. Po kështu, lajm i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 16 pacientë të prekur nga “Coronavirus”.
Ja deklarata e plotë e Eugena Tominit:
Në 24 orët që lamë pas, ju bëjmë me dije se ka vijuar puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive. Dje janë testuar 236 persona të dyshuar, nga të cilët 45 janë personel shëndetësor, kryesisht në spitalin e Shkodrës. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 8 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 6 raste në Tiranë, 1 personel shëndetësor në Shkodër dhe 1 personel shëndetësor në Kukës.
Deri në këto momente janë testuar 4306 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 475 raste. Siç shihet nga grafiku, prirja e pozitivitetit të mostrave të testuara tregon nje qendrueshmëri të rasteve të konfirmuara, kryesisht gjatë dy javëve të fundit. 24 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me COVID-19, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.
Gjatë 24 orëve të fundit, 16 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 248. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 37 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 prej tyre janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 46 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet për herë të parë në Kukës dhe zgjerohet në Tiranë dhe Shkodër. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Tiranë 227 raste
Durrës 42 raste
Lushnje 6 raste
Elbasan 15 raste
Fier 32 raste
Kavajë 8 raste
Rrogozhinë 4 raste
Korçë 17 raste
Vlorë 5 raste
Shkodër 71 raste
Lezhë 14 raste
Berat 2 rast
Has 13 raste
Krujë 6 raste
Tropojë 4 raste
Pukë 5 raste
Mirditë 3 raste
Kukës 1 rast
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.
Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.