Sezoni i ri i emisionit “Shqipëria Live” premton një format tërësisht të ri, me një fokus të veçantë në temat e nxehta të momentit. Ky program, që tashmë është një pjesë thelbësore e Top Channel, do të drejtohet nga Sidorela Gjoni, një figurë e njohur me më shumë se 10 vite përvojë në media, e cila rikthehet në familjen e Top Media.
“Shqipëria Live” do të transmetohet çdo ditë nga e hëna në të premte në orën 12:45 – 15:00, duke mbuluar një gamë të gjerë temash, që variojnë nga ngjarjet politike dhe sociale në Shqipëri, deri te zhvillimet në rajon dhe botë. Emisioni do të trajtojë çdo ngjarje në mënyrë të drejtpërdrejtë, me përfshirje të ftuarve të ndryshëm, intervista ekskluzive, dhe lidhje direkte nga terreni.
Programi synon të ofrojë një mbulim 360 gradë të ngjarjeve në kohë reale, duke përfshirë analiza, opinion, debat dhe raportime të detajuara. Gjithashtu, nuk do të mungojnë diskutimet me panele të përzgjedhura dhe analistë që do të japin një vështrim të thellë mbi ngjarjet më të rëndësishme të ditës.
Ngjarjet politike si zgjedhjet, samitet, përplasjet parlamentare dhe çështjet e drejtësisë do të jenë gjithashtu pjesë e tematikave kryesore të trajtuara në emision, ku përveç analistëve, do të ftohen edhe personazhet kryesore të këtyre fushave.
Me një përfshirje të gjerë të ngjarjeve nga çdo cep i Shqipërisë dhe trevat shqipfolëse, “Shqipëria Live” synon të jetë një burim i besueshëm informacioni për të gjithë ata që e ndjekin, duke ofruar transparencë dhe përgjigje për çdo çështje të rëndësishme që prek shoqërinë.