Shqipëria ka krijuar për herë të parë hartat digjitale topografike të standardeve bashkëkohore në bashkëpunim me qeverinë e Japonisë, përmes Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), për të zbatuar “Projektin për Informacionin Gjeohapësinor dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Tokës në Zonën Tiranë-Durrës”.
Objektivi kryesor i projektit është rritja e aktiviteteve të zhvillimit social dhe ekonomik në këtë zonë, duke shfrytëzuar hartat topografike digjitale në shkallë të gjerë. Hartat topografike digjitale të shkallës 1:2000 që mbulojnë 300 km2 u krijuan nga një bashkëpunim i suksesshëm midis Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor (ASIG) dhe Ekipit të Projektit JICA që përfshin kompanitë lokale.
Konferenca përmbyllëse e Projektit si dhe Konferenca Rajonale Ballkanike u mbajtën më 4 nëntor dhe 5 nëntor, për të ndarë rezultatet e arritura me palët e interesuara, agjencitë qeveritare, bashkitë, ambasadat e Japonisë në rajonin e Ballkanit, kompanitë lokale, etj., të cilët janë përdorues të mundshëm të hartave topografike digjitale të krijuara.
Ceremonia u zhvillua në selinë e ASIG-ut në Tiranë, ku morën pjesë Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Takada Mitsuyuki, përfaqësuesi Kryesor i Zyrës Ballkanike të JICA, Takeichi Jiro, Drejtori i Përgjithshëm i ASIG Lorenc Çala si dhe aktorë të tjerë të interesuar.
Gjatë Konferencës Rajonale për Informacionin Gjeohapësinor, rezultatet e projektit iu prezantuan përfaqësuesve të agjencive kombëtare të informacionit gjeohapësinor të Rajonit të Ballkanit Perëndimor, të cilët në të njëjtën kohë prezantuan planet e tyre të ardhshme dhe pritjet për asistencë teknike nga JICA.
JICA është Agjencia e Qeverisë së Japonisë, përgjegjëse për zbatimin e ndihmës dypalëshe nëpërmjet Bashkëpunimit Teknik, Huave ODA (të buta) dhe Ndihmës Grant. Deri më tani në Republikën e Shqipërisë, JICA ka shtrirë projekte të ndryshme në fushën e mjedisit, zhvillimit të sektorit privat dhe promovimit të shëndetësisë dhe turizmit.
Zyra e Ballkanit e JICA-s mbulon aktivitetet në 6 shtete në Ballkan: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.