NGA Monika Stafa
Procesi i dixhitalizimit të transmetimeve tokësore prej kohësh ka rezultur një dukuri e prekshme dhe e dukshme në dhjetëvjecarin e fundit të shekullit të kaluar dhe në fillim të mijëvjecarit të ri. Shpërthimi i lindjes së disa mediave elektronike private solli dhe nevojën për shtimin e numrit të frekuencave. Në këto kushte e vetmja zgjidhje u pa që të ndërrohet teknologjia ekzistuese, duke kaluar nga transmetimet analoge në transmetime numerike dixhitale. Për pasojë kjo ka mundësoi clirimin e spektrit të frekuencave dhe përdorimin e tyre në mënyrë sa më racionale.
Por cilat janë disa nga përparësitë e transmetimeve dixhitale tokësore dhe si subjektet audiovizive do t’i shfrytëzojnë ato drejt një të ardhmeje evolutive ne drejtim të teknologjisë ? Sipas ekspertëve vendas por dhe ata perëndimorë, disa nga dukuritë më të aksesueshme priten të jenë rritja e numrit të kanaleve të transmetuara, mundësia e lëshimit të kanaleve të reja lokale, hovi i definicionit të lartë dhe i formatit të ri 16/9, shumëfishimi i shërbimeve ndërvepruese për një publik më të shumtë dhe së fundi një përdorim optimal i spektrit hercian.
Kanalet televizive ekzistuese që transmetojnë në Shqipëri kanë ndjekur deri tani modelin tradicional të televizionit të dikurshëm në transmetimet analoge. Në programacionin e tyre të gjitha pak a shumë kanë pasur një përmbajtje programi në përbërje të të cilit kanë qenë lajmet, kryesisht ato politike, spektaklet argëtuese, filmat dhe një numër i lartë blloqe reklamash. Kështu vendosja e programeve politike në Prime Timepërgjithësisht ka uzurpuar thuaj të gjitha televizionet. Bazuar mbi diskutime të ndryshme ekspertësh por dhe nga një kontroll shikueshmërie i vëmendshëm duket qartë se analizat e strukturave programore janë ndërtuar në mënyrë të tillë që tregon se televizionet në Shqipëri ndjekin më shumë teknikën e imitimit sesa të llojshmërisë së programeve televizive. Nisur nga kjo del se ato nuk konkurojnë me njëra – tjetrën për përmbajtjen cilësore të produktit por si mund të shitet produkti më lehtëisht tek audienca. Gara e fortë mes tyre përaudiencë ka ulur ndjeshëm gjatë këtyre viteve rendimentin e prodhimit në llojshmëri, por mbi të gjitha dukshëm dhe fort cilësinë e tyre në përmbajtje pa ndonjë risi të dallueshme në nivel cilësor dhe kërkues. Kjo pothuaj shihet në të gjitha televizionet kryesore, pa përmendur televizionet më të vogla. Ato padiskutim konkurojnë njëra- tjetrën pa dashur në dëm të publikut dhe jo veten e tyre. Kjo gjë sigurisht i ka shkëputur ato nga pasioni i dikurshëm për të ndjekur televizion, pavarëisht zhvillimeve të reja teknologjike. Nëse i ndjek me vëmendje mbremjet televizive, të gjitha mediat kanë biseda në studio me tematikë politike. Ndaj procesi i dixhitalizimit mban dhe një arsyetim ekonomik lidhur me këtë anomali. Që këtej për të zbutur konkurrencën televizionet duhet të diversifikonin programet duke rritur llojshmërinë dhe tërhequr audiencat e vecanta, megjithëse kjo shumë pak është provuar deri tani në tregun televiziv. Kalimi i procesit të transmetimeve analoge në ato numerike, do të bëjë që kjo pjesë të kalojë sa më shpejtë. Programet do të jenë më gjeneraliste dhe më të shumëllojshme cfarë do të thotë se mbrëmja e “burrave të fortë të politikës” nuk do t’i imponohet cdo mbrëmje me domosdo gjithë publikut shqiptar. Ai do të përzgjedhë vetë kanalet e tij të preferuara, si filma, dokumentarë, emision për fëmijë, spektakle etj. Po ashtu dhe gjykimet për gjinitë e suksesshme në të ardhmen dixhitale të transmetimeve audiovizive do të jenë programet familjare, zbavitëse dhe sporti, pasi ato ndërtojnë komunitete online dhe angazhojnë audiencën.
Duket qartë se megjithëse politika është e pëlqyeshme nga konsumatori, ajo sërish është në rënie dhe pritet që tematikat sociale dhe investiguese të jenë gjinitë më të sukseshme të së ardhmes. Duhet të shtojmë se sipas përvojave perëndimore programet mbizotëruese priten të jenë ato edukative, informative, shëndetsore, emisione për stilin e jetës, edukimin familjar, emisione për gjuhën shqipe, etj.
Një tjetër përparësi e procesit të dixhitalizimit është se numeriku është sinonim i reduktimit të kostove të. Si realizohet kjo ? Me kalimin në transmetimin dixhital, një ndryshim i rëndësishëm ndodh në raportet e elementëve të kostos së një prodhimi televiziv. Sipas ekspertëve në sistemin analog mbledhja fizike e informacionit, shkrimi, editimi, design-i dhe formatimi zinin 10 – 20 % të kostos së prodhimit. Pas tyre vinte kostoja e prodhimit dhe më pas shpërndarja që në sistemin analog zinte 2/3 e gjithë kostos. Në sistemin dixhital peshën më të madhe të kostos e zë mbledhja elektronike e informacionit, shkrimi dhe formatimi. Prodhimi dhe shpërndarja elektronike zënë më pak se 15 % të saj. Megjithatëinvestimet fillestare në teknologjinë dixhitale dhe sistemet e transmetimit janë pjesa më e madhe e kostos në procesin e kalimit në transmetimet dixhitale.
Procesi i dixhitalizimit nuk ka pasur ritme të shpejta në Shqipëri. Por ky ka qenë një fenomen që ka shoqëruar gjithë vendet e Ballkanit. Ka ndodhur për shumë arsye: vonesa e miratimit të legjislacionit për transmetimet dixhitale, mungesa e infrastrukturës së nevojshme e problemeve, mospërgatitjes së operatorëve privatë për humbje frekuencash, pasiguria dhe frika e përballjes së tyre me këtë situatë të re zhvillimi teknologjik dhe shpenzimeve që u është dashur të kryhen me këtë platformë të re por në fund dhe situata jo e favorshme ekonomike dhe financiare që ka kaluar Shqipëria në këto vitet e fundit. I gjithë procesi sigurisht është zhvilluar nën nxitjen e Bashkimit Europian, qeverisë shqiptare si dhe organeve e agjencive shtetërore ku një rol përparësor ka luajtur dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA). Kalimi në transmetimet numerike tokësore për Shqipërinë ashtu si dhe për vende të tjera të Ballkanit ka qenë njëri ndër kushtet për të qenë pjesë e anëtarësisë së Europës dhe i imponuar nga BE-ja. Procesi i dixhitalizimit nuk është i thjeshtë për të gjithë familjet shqiptare. Ai mbart dhe kostot e tij. Me qëllimin e lehtësimit të këtij procesi qeveria ka vënë një fond në dispozicion për familjet në nevojë të cilët nuk kanë mundësi të adaptojnë pajisjet e reja (dekoderi) që duhen për tu pajisur me sinjal në shtëpitë e tyre. Shumë shpejt Shqipëria pret t’i bashkohet vendeve të tjera të Ballkanit të cilat i kanë ndërprerë transmetimet analoge duke kaluar në transmetime tokësore dixhitale.