Shqipëria nuk arriti të respektojë datën e vendosur nga BE për kalimin e rrjeteve nga analoge në numerike, duke dështuar kështu në procesin e dixhitalizimit. Autoiteti i Mediave Audiovizive ka bërë me dije se vonesat nga ministria e Inovacionit në ndertimin e e dy rrjeteve të RTSH do të sjellin jo vetëm shtyrjen e procesit më 6 deri në 8 muaj, por edhe një kosto financiare nga pas.
Pavarsisht se 17 qershori ishte vendosur si afati i fundit nga Bashkimi Europian për kalimin e transmetimeve nga analoge në numerike, Shqipëria ka dështuar në këtë proces. Përmes një deklarate të mbërritur në redaksitë e lajmeve nga autoriteti i mediave audiovizive bëhet me dije se vonesat në ndërtimin e rrjeteve të RTSH janë bërë shkak për zvarritjen e procesit të dixhitalizimit të operatoreve privat vendore si dhe shkaktojnë një sërë problemesh për dixhitalizimin e rrjeteve numerike private.
AMA ka njoftuar Kuvendin e Shqipërisë, Kryeministrinë, Ministrinë për Inovacionin dhe Administratën Publike, AKEP-in, RTSH-në dhe subjektet audiovizive, për problematikat që ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e procesit të digjitalizimit si: kërkesa imediate përfillimin e ndërtimit të rrjeteve numerike të RTSH-së, plotësimi i një vendi ende vakant në Këshillin e AMA-s dhe kthimi i funksionalitetit të tij edhe për vendimmarrje që kërkojnë shumicë të cilësuar. Pavarësisht masave të marra nga Institucioni ynë, është i pamundur implementimi i plotë i strategjisë së kalimit në transmetimet numerike dhe afati përfundimtar i mbylljes së transmetimeve analoge, 17 qershor 2015, nuk mund të respektohet.
Mos respektimi i afatit për dixhitalizimin dhe për rrjedhojë shtyrja e tij 6- 8 muaj do të sjellë nga mbrapa edhe nje kosto financiare për buxhetin e shtetit.
Shtyrja e këtij afati, vonesat në procesin e dixhitalizimit, përveçse do të shoqërohen me kosto financiare, kanë për rrjedhojë mospërmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të shtetit shqiptar.
Që nga viti 2013 Ministria e Inovacionit asokohe e drejtuar nga Genc Pollo ka zvarritur procesin e dixhitalizimit dhe për rrjedhojë pas dy vjetesh vonese vetëm dy muaj më parë u arrit firmosja e kontratës për ndërtimin e rrjetit të RTSH me kompaninë gjermane Rohde&Schëartz.
Por edhe pse u firmos kontrata prej 25 milionë eurove mes Ministrisë së Inovacionit dhe kompanisë gjermane ende nuk ka përfunduar procedura per ndërtimin e dy rrjeteve të RTSH e për rrjedhojë mos nuk bëhet kalimi te rrjetet private.
Një tjetër vonesë në procesin e dixhitalizimit është dhe blerja e dekoderave per familjet që s’kanë mundësi financiare.
Deklarata e plotë e AMA-s mbi mosrespektimin e afateve të procesit të dixhitalizimit
Procesi i digjitalizimit është një proces gjithëpërfshirës, me ndikime të drejtpërdrejta në fushën e transmetimeve audiovizive dhe prek pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare përmes pasojave të tij të pashmangshme ekonomike, teknike e shoqërore. Kalimi nga sistemi analog në atë numerik do të paraqesë sfida dhe problematika për audiencën, për operatorët audiovizivë dhe për strukturat shtetërore.
Autoriteti i Mediave Audiovizive është autoriteti përgjegjës për administrimin e spektrit të frekuencave për transmetime audiovizive, me detyrën për të luajtur rolin kryesor në procesin e kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike referuar ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 292, datë 02.05.2012 “Për miratimin e Strategjisë së Kalimit nga Transmetimet Analoge në Transmetimet Numerike”. Bashkëpunimi efikas mes strukturave shtetërore, palë në procesin e digjitalizimit, operatorit publik dhe atyre privatë, vlerësohet si faktor kryesor në realizimin e procesit të kalimit në transmetimet numerike.
Përmbushja e procesit të digjitalizimit kalon në tre komponentë të rëndësishëm dhe faktorët e realizimit të tyre janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, konkretisht:
1. Digjitalizimi i rrjeteve analogë tokësorë të transmetuesit publik.
2. Digjitalizimi i rrjeteve analogë tokësorë të operatorëve privatë kombëtarë.
3. Digjitalizimi i rrjeteve analogë tokësorë të operatorëve ekzistues analogë vendorë.
Transmetuesi publik (RTSH) ka rol kyç në procesin e kalimit në transmetimet numerike si mbështetësi kryesor i programeve të operatorëve ekzistues analogë vendorë. Prandaj AMA ka miratuar me përparësi frekuencat e Planit Numerik të dy rrjeteve numerike të RTSH-së. Vonesat në ndërtimin e rrjeteve të RTSH-së pengojnë digjitalizimin e operatorëve privatë vendorë si dhe shkaktojnë një sërë problemesh për digjitalizimin e rrjeteve numerike private kombëtare. Kalimi i operatorëve privatë vendorë në rrjetet e RTSH-së do të lirojë dhe disa frekuenca të rezervuara për ndërtimin e rrjeteve të operatorëve historikë kombëtarë, që do të licencohen sipas procedurës së beauty contest.
Lidhur me digjitalizimin e rrjeteve analogë tokësorë të operatorëve privatë kombëtarë sipas procedurës së beauty contest, AMA, në fillim të vitit aktual, rinisi procesin e konsultimit me subjektet historike kombëtare dhe ata me eksperiencë në transmetimet numerike. Ky proces kishte qenë i bllokuar për shkak të vendimeve gjyqësore. Aktualisht, aplikimet e paraqitura janë në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit. AMA do të shprehet me vendim për dhënien ose mosdhënien e licencës së transmetimit audioviziv kombëtar brenda një afati 60 ditor nga paraqitja e aplikimit. Licencimi i subjekteve të sipërcituara është vetëm njëri aspekt i çështjes së lirimit të brezit të frekuencave, pasi ky objektiv është i ndërvarur, gjithashtu, nga procesi i ndërtimit të rrjeteve numerike të RTSH-së.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)