Ish-deputeti Kastriot Islami është shoqërur mbrëmjen e djeshme në komisariat, pasi u kap pa maskë duke ecur në zonën e liqenit artificial në Tiranë.
Pas kësaj, Islami ngriti akuzat se shoqërimi i tij ishte i porositur dhe i urdhëruar, ndërsa pretendon se është më i angazhuar dhe më i vendosur se më parë për të vazhduar betejën kundër së keqes.
Por pak minuta më parë ka ardhur edhe reagimi i policisë së Tiranës, e cila deklaron se Islami ka keqtrajtuar punonjësit e patrullës policore me një fjalor shumë të ulët.
Sipas bluve, ish-deputeti i ka kërcënuar punonjësit e policisë, duke i thënë që “do ta shihnin pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës”.
“Në mënyrë të përsëritur shtetasi Kastriot Islami është prononcuar publikisht me pretendimin që Policia e Shtetit e ka keqtrajtuar. E vërteta është se ky shtetas ka keqtrajtuar punonjësit e patrullës policore me një fjalor shumë të ulët.
Kastriot Islami është ndaluar nga patrulla e Përgjithshme si një kalimtar pa maskë. Ai menjëherë ka lëshuar ndaj punonjësve të policisë fjalë të ulëta, duke pretenduar se ai ishte një figurë publike që nuk mund të ndalohej prej tyre. Madje shtetasi i ka kërcënuar punonjësit e policisë, që “do ta shihnin pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës”!
Patrulla e policisë është detyruar ta shoqërojë atë në komisariat, ku janë kryer procedurat ligjore dhe i është komunikuar gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.
Duke hedhur poshtë akuzat e fabrikuara nga shtetasi Kastriot Islami për Policinë e Shtetit dhe shprehur keqardhjen për fjalorin e tij ndaj punonjësve tanë, gjejmë rastin të theksojmë se Policia e Shtetit nuk i shërben politikës po ligjit”, thuhet në njoftimin e policisë.