Një 50 vjeçar është arrestuar nga policia në Shkodër, pasi dhunoi dhe përplasi me makinë fqinjen e tij. Mësohet se, ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen Kërtollaj, njësia Guri Zi në Shkodër, ndërkaq policia ka vënë në pranga autorin, Hilë Simoni.
Mësohet se, 50-vjeçari kishte futur nën makinë fqinjen e tij, Katrina Hila, 54 vjeçe, e cila ka pësuar disa fraktura të rënda kryesisht në këmbë, por edhe pjesë të tjera të trupit. Nga të dhënat e deri më tanishme dyshohet se Katrina Hila ishte duke shkuar në kishën e fshatit në mëngjes kur papritur komshiu i saj, Hilë Simoni i doli para, e dhunoi fizikisht, dhe më pas e ka zënë nën rrotat e makinës së tij.
Pas kësaj ngjarje ka mbërritur policia duke bërë të mundur fillimisht nxjerrjen nga poshtë makinës të Katrina Hilës dhe më pas arrestimin e 50 vjeçarit Hilë Simoni. 54 vjeçarja u dërgua menjëherë për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës.
“Nga frika e përplasa Katerinën me makinë”, është shprehur ndër të tjera Hilë Simoni, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 07:30.
Bëhet me dije se, shkak i përplasjes së sotme ka qenë një konflikt të mëparshëm mes fqinjëve. Bashkëshorti i Katrina Hilës dhe Hilë Simoni kanë debatuar edhe më përpara dhe konflikti ka vijuar deri më tani.