Jeta e vërtetë e një lypësi
Në ’24 orë me …’ këtë javë, Ardit Gjebra ndoqi nga afër ditën e një lypësi. Genti, 22 vjeç, kishte lypur që kur ishte 6 muajsh. Ai ishte më i vogli i 8 fëmijëve, të gjithë lypës, të gjithë në zonën ‘e tyre’ tek kryqëzimi pranë Taivanit. Genti jeton tek Bregu i Lumit me nënën e tij, në një shtëpi me një qira 150 mijë lekë në muaj. Genti del çdo ditë të lajë makinat, dhe fiton rreth 10-15 mijë lekë të vjetra në ditë.
Megjithatë, ai nuk ka ndërmend të ndryshojë punë: ‘Jam mësuar këtu, që kur kam qënë i vogël’, thotë ai, ‘Do ta kisha të vështirë të ndryshoja punë’. Genti thotë se nuk do ti pëlqente të bënte një punë ku rroga jepet një herë në muaj: ‘Lekët ne na duhen përditë, jo një herë në muaj’.
Gjebrea e ndoqi ditën e Gentit që nga fillimi, kur ai ende nuk ishte zgjuar nga gjumi. E ëma tregoi se çdo ditë, djali i saj lante sytë kur zgjohej, pastaj hante një mëngjes të bollshëm të cilën ia gatuante ajo: 3 vezë të skuqura, 3 kremviçe, lëng molle. ‘Ai e meriton t’ia bëj gati’, tha e ëma, ‘lodhet shumë për t’i fituar lekët’ E pyetur nga Gjebrea se si ndihej që i biri ka nisur të lypë që kur ishte foshnje, ajo u përlot dhe tha: ‘Më vinte shumë keq. Mallkoj veten time!’ Genti rrëfeu se i kishte provuar të gjitha keqtrajtimet, që nga fyerjet e përditshme, e deri tek rrahjet, që kur kishte qënë 8 vjeç.
Të gjithë e përshëndesnin me respekt Arditin, por çfarë ndodhi kur ai s’ishte më producenti i njohur, por një lypës?
Duke parë keqtrajtimet me të cilat Genti ishte mësuar tashmë, dhe nga ana tjetër njerëz që atë e përshëndesnin pasi e njihnin nga ekrani, Gjebrea vendosi të provonte sesi do të reagonin njerëzit ndaj tij, nëse ai s’do të ishte më producenti i ‘Të Dielës Shqiptare’, por një lypës.
‘U ndjeva i padukshëm’… Askush nuk e shikonte më si një njeri; kamerat e ’24 orë’ dëshmuan sesi njerëzit, karshi një plaku që u lypte 10 lekë të vjetra nga xhami i makinës, bënin çfarëdolloj gjëje për të mos i dhënë asnjë qindarkë. Natyrisht, pati edhe nga ata që i dhanë 10-lekëshin e florinjtë, por pati edhe nga ata që, prej sendiljes së makinës së tyre luksoze, i bërtisnin të largohej tutje. ‘Mos iu afro makinave luksoze’, i tha Genti, ‘Se je fillestar’. Kjo frazë përmblidhte atë që dukej se ndodhte çdo ditë për Gentin: Ishin makinat më të shtrenjta ato që më shumë kurseheshin.
Deri në mbrëmje, Gjebrea njohu disa prej refuzimeve, ofendimeve dhe poshtërimeve të cilat për Gentin, dukej sikur s’përbënin më një ofendim. Gjebrea vuri në dukje sesa i lumtur ishte Genti kur hante bukën me sallam, pa lugë, pa thikë e pa pirun, vetëm me duar dhe thoshte ‘Sa të shijon kur i lëpin gishtat!’. Dhe pastaj në fund të ditës së punës, pasi për të ishte puna që i sillte të ardhurat, numëronte lekët që kishte grumbulluar. Fytyra e tij shndërriste.
Genti kishte një qëllim: të mblidhte para për të paguar operacionin e së ëmës. Asnjë ëndërr për të ardhmen, asnjë ambicie të mëtejshme. Veç mundimi i përditshëm i një njeriu që, si çdokush, përpiqet për të sjellë lekët e bukës në shtëpi. Për Gentin, nuk ishte më shumë sesa kaq. Ai s’e kishte vënë veten kurrë në vend të njerëzve që punojnë nëeuml; një zyrë, apo shesin në një dyqan, njerëz që nuk u shkojnë të tjerëve me dorën e shtrirë, pasi të tjerët shkojnë tek ata. Jo siç Gjebrea mundi ta vinte veten në vend të tij. Genti nuk kishte dëshirë.
Copyright @Anabel.al