Top Channel do të nisë të shtunën programin “Shiko kush Luan”, nën drejtimin e Luana Vjollcës.
Në orën 20:50, së bashku me Luanën, do të jenë edhe Ed Manushi dhe Gent Hazizi, për një spektakël që siç thotë vetë Luana, do të jetë “siç e do e shtuna në mbrëmje”.
E ftuar në studion e “Wake Up”, Luana Vjollca dha disa detaje mbi “Shiko kush Luan”.
“Do të jetë jo vetëm garë, në formën e quizz-it, por një “show” siç e do e shtuna në mbrëmje. Jemi munduar të bashkojmë garën dhe spektaklin për të nxjerrë diçka të mirë. 10 vite në Top Channel më kanë bërë të kuptoj se çfarë kërkon një mbrëmje “prime time”, tha Luana, e cila zbuloi se do të ketë edhe çmime për fituesit.
“Do të ketë çmim për tre personazhet e skuadrës fituese, por nuk dua ta zbuloj tani çmimin” u shpreh Luana.
Moderatorja e famshme, e cila është edhe bashkautore e programit, tregoi duke qeshur se si shefe, një nga pjesëtaret e stafit i ka thënë se është si gjeneral.
Luana zbuloi se në puntatën e parë të programit do të luajnë Kresha, Lyrical Son dhe Jonida Maliqi.
Gjithashtu u shpreh se e ka zgjedhur veshjen e saj, që do të jetë e bardhë. Gjithsesi, sipas Luanës, vëmendja nuk do të jetë se çfarë ka veshur vetë ajo, por te dy velinat e programit, që do të zgjasë 90 minuta dhe “do të bëhet më i nxehtë me kalimin e kohës”.
“Jam shumë e lumtur që publiku po na pret. Shpresoj që të shpërblehet kjo pritje”, u shpreh Luana.
Top Channel