Dy miq te vjeter për shkak të një qendre estetike janë kthyer në kundërshtarë. Mosrespektimi i rregullave brenda një komuniteti të përbashkët ka sjellë acarim dhe keqkuptime mes dy miqve, Fatmirit dhe Gëzimit, të cilët zgjidhjen e gjetën në rubrikën “Shihemi në gjyq”.
Fatmiri banon në katin e katërt të një apartamenti në kryeqytet dhe dikur ka pasur fqinj kushëririn e Gëzimit, i cili tashmë ndodhet në Amerikë dhe apartamentin e tij e ka dhënë me qera. Shqetësimi i Fatmirit, lidhet me faktin se përballë tij ka ardhur një grua e cila ka një aktivitet të dyshimtë.
Gruaja e ka marrë apartamentin me pretendimin se do të banonte vetë, por menjëherë pasi pronari është larguar në Amerikë, ajo e ka kthyer apartamentin në një qendër estetike.
Fatmiri dhe banorët e tjerë të pallatit janë ankuar edhe në polici për këtë qendër estetike, për faktin se klientët bëjnë zhurmë dhe kanë sjellje të padenja për një vend të banueshëm, për më tepër kur zhurma zgjat deri në orën 4 apo 5 të mëngjesit.
Nga ana tjetër, Gëzimi i cili është caktuar nga kushëriri i tij për të mirëmbajtur shtëpinë, shprehet se asnjëherë nuk ka vënë re sjellje të pahijshme të gruas që ka qendrën estetike, madje ajo është e rregullt edhe me pagesat dhe thotë se gjithnjë sheh punën e saj.
Gëzimi hedh poshtë akuzat e Fatmirit, kur thotë se ajo grua po mbahet qëllimisht në atë pallat, vetëm e vetëm për t’i sjellë shqetësime familjes së tij.
Ndërsa publiku votoi pro Fatmirit, duke u bashkuar me shqetësimin e tij se përballë nuk mund të jetohet me fqinjë problematikë.
Gëzimi pranoi të nënshkruajë marrëveshjen me Fatmirin, se nëse të gjitha këto shqetësime faktohen, ai është i gatshëm të marrë në telefon pronarin e apartamentit që ndodhet në Amerikë dhe të prishë kontratën 1-vjeçare me pronaren e qendrës estetike.
Në fund të puntatës, ndërmjetësuesja Eni Çobani ka falenderuar Gëzimin dhe Fatmirin për gjuhën e qetë dhe për qytetarinë e treguar gjatë debatit.
Burimi | TV Klan / M. Sejdini