Rubrika “Shihemi në gjyq” edhe këtë javë ka trajtuar një histori mjaft prekëse, një konflikt familjar, ku gruaja kishte nxjerrë nga shtëpia burrin e saj, si të paaftë për të mbrojtur shtëpinë ku banonin. Në këto kushte, Isai ka besuar në rubrikën “Shihemi në gjyq” për tu pajtuar me bashkëshorten dhe për të parë 2 fëmijët, të cilët kishte 1 vit e gjysëm që nuk i shikonte.
Çifti i bashkëshortëve, Isai dhe Drita para 14 vjetësh vendosën të shpërngulen nga Lushnja dhe të banojnë në Tiranë, të ndihmuar edhe nga profesioni i Isait, si ndërtues. Çifti është vendosur me banim në Tiranë në zonën e Alliasit para 14 vjetësh. Fillimisht familjes i është dashur të qendrojë në një kantier ndërtimi, pra në shtëpi provizore që ngrihet për punëtorët që punojnë në një pallat, derisa të përfundojë ndërtesa. Drejtori i ndërmarrjes ku punonte Isai, i ka bërë këtij të fundit një akt shitjeje për truallin ku banonin dhe bëhet fjalë për 192 m2, por jo me akt noterial.
Isai pasi ka marrë këtë dokument ka nisur themelet për ta zgjeruar vendin ku do të banonin dhe e zgjeroi shtëpinë. Kur Isai filloi të zgjerohet, truallit i del pronari, por ndryshe nga se mund të mendohet, pronari vetë i thotë ta gëzoni shtëpinë. Por pas 7 vjetësh situata ndryshon, pasi në atë truall një firmë ndërtimi kishte interes për të ndrëtuar një pallat dhe pronari që i kishtë thënë “ta gëzoni shtëpinë” tashmë i kërkonte të lironin truallin.
Dhe me një vendim “fantazëm” të Gjykatës së Apelit (të falisifikuar nga ana e pronarit të truallit) pronari ka lajmëruar përmbarimin dhe kanë prishur shtëpinë ku banonte familja e Isait.
Isai i është drejtuar institucioneve të drejtësisë, nga ku në Gjykatën e Shkallës së Parë e kishte fituar gjyqin, por çështja u komplikua nga vendimi i Gjykatës së Apelit. Në këto rrethana, Isai i është drejtuar Gjykatës së Lartë, e cila e ka shqyrtuar çështjen dy herë dhe ka vendosur se aty nuk duhej të prishej objekti (pra shtëpia) por duhet të liroheshin 40 m2 truall. Pra pronari dhe përmbarimi kanë qenë në shkelje flagrante me ligjin, duke e lënë pa shtëpi familjen e Isait, të cilët u detyruan të jetonin me qera.
Drita fajësonte Isain për këtë situatë të krijuar, pasi sipas saj, Isai nuk ka qenë i zoti të mbronte shtëpinë që e kanë ndërtuar vetë. Pas konflikteve të shpeshta brenda familjes, Drita merr vendimin të nxjerrë nga shtëpia burrin e saj, pra Isain. Drita jetonte me qera me dy fëmijët, nga ana tjetër edhe Isai jetonte me qera vetëm. Prej 1 viti e gjysëm, Isai nuk kishte asnjë kontakt me fëmijët. I ndodhur në këtë situatë të vështirë dhe pa rrugëzgjidhje, ai i drejtohet rubrikës “Shihemi në gjyq”.
Çifti përballë njëri-tjetrit u konfliktua sërish për situatën në të cilën ndodheshin, ku Isai dhe Drita dhanë arsyet se përse konflikti kishte arritur deri në këtë pikë.
Por kur ndërmjetësuesja Eni Çobani lexoi vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila e kishte shpallur që në 15 Janar të vitit 2014, e ndryshoi situatën. Në vendimin e Gjykatës së Lartë është diskutuar për lirim pronësie, për vetëm 40 m2 dhe jo për prishje objekti dhe se përmbarimi nuk kishte asnjë të drejtë të prishte shtëpinë.
Për këtë padrejtësi, Eni Çobani bashkë me Isain dhe Dritën vendosën të kërkojnë të drejtën për dëshmpërblim, pasi shtëpia është prishur pa të drejtë.
Pasi u sqarua se ku qendronte problemi me institucionet e drejtësisë, Isai kërkoi në këtë seancë ndërmjetësimi të bashkohet me familjen dhe ta kalojnë së bashku këtë situatë të vështirë.
Publiku i të “Dielës shqiptare” votoi unanimisht për Isain dhe asnjë votë për Dritën.
Drita , e cila kishte nxjerrë nga shtëpia Isain pranoi të nënshkruajë marrëveshjen për rikthimin e tij në shtëpi dhe të kërkojnë të drejtën e tyre përpara institucioneve të drejtësisë, por tashmë të bashkuar.
Burimi | TV Klan / Mitka Sejdini