Departamenti i Policisë në Los Angeles është duke hetuar pamjet shokuese nga sulmi me armë që dy persona i kanë bërë shëtitësit të qenve të Lady Gaga-s, duke e lënë atë të plagosur, ndërsa janë marrë peng dy bulldogët e saj francezë.
Kjo video është pjesë e provave që Policia po sheh për të zbardhur të plotë ngjarjen. Pamjet filmike, të kapura nga një kamera sigurie, tregojnë shëtitësin e qenve në Bulevardin “Sierra Bonita” në Hollywood, mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa një automjet ndalon pranë tij. Të paktën dy persona mund të shihen që dalin nga makina duke e sulmuar menjëherë atë, ndërsa viktima shihet duke u përballur me ta.
Më pas njëri prej autorëve e mban viktimën dhe tjetri i drejton një armë dhe e qëllon, ndërsa shëtitësi i qenve bie në tokë i plagosur dhe kërkon për ndihmë. Ai dëgjohet të bërtasë që është plagosur në mushkëri dhe i kanë grabitur qentë, teksa fqinjët i vijnë në ndihmë.
Dëshmitarët bënë me dije se sapo dëgjuan të bërtiturat morën menjëherë policinë, ndërsa skena ishtë vërtetë shokuese.
“Sapo morëm policinë dolëm jashtë dhe pamë një njeri të gjakosur që po luftonte për jetën. Ndihma e parë erdhi, por nuk e dinim nëse personi ishte gjallë apo i vdekur”- tha Rachel Mason, një dëshmitar i ngjarjes, ndërsa shtoi se nuk e kishin idenë që ai ishte shëtitësi i qenve të Lady Gaga-s dhe që bulldogët ishin vjedhur.
Sipas policisë, viktima e grabitjes është në gjendje të rëndë në spital, ndërsa qentë rezultojnë ende të zhdukur. Identiteti i shëtitësit të qenve nuk është bërë ende publik. Ndërkohë autorët e ngjarjes mendohet të jenë dy djem të moshës 20-25 vjeç.
Mësohet se Gaga ka ofruar 500 mijë dollarë shpërblim për rikthimin e qenve, Koji dhe Gustav.