Dorian Kuka iu bashkua dje Për’puthen dhe u kuptua menjëherë që do ishte pjesë e rëndësishme e emisionit pasi ndezi menjëherë debat në studio. Doriani është 29-vjeç nga Lushnja. Ai tregoi se deri në moshën 22-vjeçare kishte qenë futbollist, mirëpo më pas ishte tërhequr për shkak të dëmtimeve që kishte pësuar dhe operacioneve që kishte kryer. Më vonë, ai ishte marrë me modeling.
Dorjani komentoi vajzat e “Për’puthen” me komplimente të shumta, mirëpo zgjodhi të mos thoshte asnjë fjalë të mirë për Antonelën dhe Ledjanën. Ai u shpreh se dy vajzat i duken si vjehrra dhe nusja që grinden gjithë kohën, ndërsa ky koment iu duk i pavend dy konkurrenteve.
Ndërkohë, pas përfundimit të emisionit ai ishte konfliktuar me Erin. Moderatorja Bora Zemani zbuloi se çunat kishin debatuar me njëri-tjetrin por pa treguar arsyen. Ajo tha se çdo gjë do sqarohet në “Prime” të dielën, teksa Eri është pezulluar përkohësisht nga emisioni.
Kujtojmë se Eri u përplas edhe me Fationin kur ai ishte pjesë e emisionit. Menjëherë pas asaj ngjarjeje, ky i fundit u tërhoq nga gara. Nëpërmjet një postimi në Instastory ai ka bërë me dije se s’do jetë më pjesë e formatit, nisur nga intrigat, mashtrimet apo dyfytyrësitë e konkurrentëve të tjerë.