Bazuar në raportimet e operatorëve që ofrojnë shërbimet internet nëpërmjet rrjeteve numri pajtimtarëve me akses broadband fiks në fund të vitit 2019 arriti në rreth 436 mijë, që përbën një rritje me rreth 20% në krahasim me një vit më parë.
Tregu i shërbimeve fikse të komunikimit u rrit me 11% për vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ky treg kishte afërsisht vlerën e 9 miliardë lekëve ose rreth 72 milionë eurove.
Ndërkohë që tregu i shërbimeve celulare ka pësuar rënie për të katërtin vit radhazi, tregu i shërbimeve fikse po shfaq një rimëkëmbje të lehtë në vitet e fundit, duke shfrytëzuar sidomos potencialet e mëdha për rritjen e internetit me brez të gjerë.
Sipas AKEP, shërbimet e rrjeteve fikse në Shqipëri ofrohen nga rreth 230 sipërmarrës. ALBtelecom ngelet operatori më i madh dhe zotëron 44% të tregut sipas totalit të të ardhurave, për një shumë totale prej rreth 4 miliardë lekësh në vitin 2019.
Bazuar në raportimet e operatorëve që ofrojnë shërbimet internet nëpërmjet rrjeteve numri pajtimtarëve me akses broadband fiks në fund të vitit 2019 arriti në rreth 436 mijë, që përbën një rritje me rreth 20% në krahasim me një vit më parë.
Me gjithë rritjen e shpejtë në vitet e fundit, depërtimi i internetit me linja fikse në Shqipëri ngelet në nivele relativisht të ulët. Në fund të vitit 2019, ky tregues arriti në 15.6% të popullsisë, në rritje me rreth tre pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, sipas AKEP, normat e penetrimit janë shumë më të ulëta se ne vendet e BE dhe të rajonit.
Mbështetur në të dhënat paraprake të AKEP, investimet në rrjetet fikse vitin e kaluar ishin rreth 1.22 miliardë lekë, pothuajse sa gjysma e vitit 2018. Megjithatë, pritet që kjo shifër të jetë më e lartë pas depozitimit të pasqyrave financiare përfundimtare.