Autoritetet në Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ta testojnë “Remdesivirin” për kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19.
Entoni Fauci, këshilltari numër një i Presidentit Donald Trump për situatën e emergjencës kundër koronavirusit pranoi se nga përdorimet e kufizuara nëpër klinika kanë dalë rezultate premtuese, ndaj dhe është vendosur thellimi i analizave.
“Të dhënat kanë treguar se Remdesivir ka një efekt pozitiv domethënës në përshpejtimin e kohës së shërimit të pacientëve”.
Ilaçi është prodhuar nga firma amerikane ‘Gilead’ fillimisht kundër virusit Ebola. Sipas studimeve të kryera në Kinë, ku përdorimi i këtij ilaçi tek pacientët me COVID-19 ka dhënë rezultate, struktura molekulare riprodhuese e koronavirusit është tepër e ngjashme me atë të Ebolas.
Megjithatë Remdesivir nuk ka rezultuar shumë i suksesshëm edhe kundër vetë virusit për të cilin u krijua. Ekspertët janë të ndarë mbi efektshmërinë e ilaçit për kurimin e COVID-19. Mjekët italianë thonë se Remdesivir nuk ka dhënë rezultatet e pritshme dhe jep efekte anësore që mund të rrezikojnë jetën e pacientëve.
Administrata amerikane ka po ashtu si objektiv të prodhojë 100 milionë doza vaksinash deri në fund të vitit përmes projekteve që synojnë përshpejtimin e kërkimeve kundër koronavirusit.
Ky objektiv ambicioz bie në kontradiktë me afatin prej 18 muajsh që vetë autoritetet amerikane kanë vënë për prodhimin e një vaksine të sigurtë.