Ditën e sotme policia ka ndaluar një 26-vjeçar i cili akuzohet se në periudha të ndryshme kohore, ka shtrënguar me anë të kanosjes për dhënie pasurie duke i marrë një shumë të përgjithshme prej 16.000 eurosh një 23 vjeçari.
Policia ka njoftuar ditën e sotme detajet e operacionit të koduar “Transferta”.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, në periudha të ndryshme kohore, ka shtrënguar me anë të kanosjes për dhënie pasurie duke i marrë një shumë të përgjithshme prej 16.000 euro shtetasit S. A., 23 vjeç.
Po në vijim të hetimeve ka rezultuar se shtetasi i dëmtuar, pas shantazheve që i bënte shtetasi M. M., ka kryer transferta të lekëve në drejtim të tij, në periudha të ndryshme kohore.”
Në dijeni të kësaj ka qenë dhe një vajzë por që nuk ka treguar për ngjarjen. Shtetasja D. B. po procedohet penalisht pasi ka pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar.
Ndërsa 26 vjecari po hetohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë“.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.