Vizion Plus nis sezonin e ri televiziv këtë të hënë, duke sjellë rikthimin e të gjithë programeve të njohura dhe të dashura për publikun, si dhe disa risi që priten me entuziazëm. Me një ofertë të balancuar gjeneraliste, ky sezon premton të përmbushë pritshmëritë e shikuesve me një kombinim të shkëlqyer të informimit dhe argëtimit.
Dita nis me “7 pa 5”, ku Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, ju shoqërojnë me informacion, biseda shoqërore dhe argëtim për një fillim energjik të ditës, nga ora 06:55 deri në 09:30.
Pasditja e shqiptarëve rikthehet me “Vizioni i pasdites”, nën drejtimin e Brikena Priftit. Nga e hëna në të enjte, në orën 17:50, ky program do të mbushë pasditet me tema sociale, ngjarje aktuale dhe histori që prekin të gjithë dimensionet e jetës, nga bota reale deri tek ajo e rrjeteve sociale.
Në mbrëmje, satira dhe humori vijnë me “Fake Off”, ku Goni dhe Xhefri komentojnë me batuta lajmet e ditës, duke ofruar një dozë argëtimi për shikuesit pas një dite të gjatë.
Një nga risitë më të mëdha të këtij sezoni është “Albania’s Got Talent”, i cili do të nisë në mes të muajit tetor. Ky spektakël pritet të zbulojë talentet më të mëdha të Shqipërisë dhe do të sjellë një dimension të ri në ekranet e Vizion Plus.
Për dashamirësit e politikës, “Quo Vadis” me Pranvera Borakajn do të vazhdojë të jetë arena e debateve të mbrëmjes, çdo të enjte në orën 21:00, veçanërisht në një vit elektoral ku zhvillimet politike janë në qendër të vëmendjes.
Fundjava në Vizion Plus sjell programe që mbledhin familjen para ekranit. “Living Room” me Brunilda Lahen do të vijë me dyfishin e transmetimeve, duke nisur nga e premte dhe të shtunën në orën 17:50, me intervista dhe rrëfime të veçanta për jetën e mirë, artin dhe stilin.
Sporti është gjithashtu i pranishëm këtë sezon. Ndeshjet e “Champions League” do të shoqërohen me analiza dhe komente të thelluara çdo të mërkurë, ndërsa “Studio Sport” me Vilma Mashën do të diskutojë gjithçka rreth futbollit çdo të diel në orën 22:00.
Për çështjet ekonomike, “E-zone” me Rajmonda Lajthia do të trajtojë zhvillimet më të rëndësishme në këtë fushë, duke sjellë zërin e qytetarëve dhe ekspertëve të ekonomisë çdo të diel pas edicionit qendror të lajmeve, në orën 19:35.
Humori dhe argëtimi i fundjavës vijnë me “Papare Night”, një format i ri nga ikona e humorit, Agron Llakaj, i cili do të mbajë të qeshur shikuesit të shtunave, ndërsa Albano Bogdo do të sjellë një format të ri që ndërthur humorin me komente mbi aktualitetin për të përmbyllur më së miri javën.
Për adhuruesit e serialeve, nuk do të mungojnë episodet e reja të serialit “I Paepuri” në orën 20:00 dhe finalja emocionuese e serialit “Dashuri e Hidhur” në orën 17:00.
Sezoni i ri në Vizion Plus sjell një programacion të balancuar që ndërlidh informimin me argëtimin, duke ofruar përmbajtje të freskët dhe të larmishme për të gjitha grupmoshat. Ky sezon sapo ka nisur dhe premton të sjellë shumë surpriza të tjera gjatë rrugëtimit të tij.