Sezoni i ri e gjen “Top Channel” me surpriza. Duket se televizioni më i madh në vend po forcon strukturën e tij programore. I nisur që në origjinë si një televizion gjeneralist i modelit italian, me një linjë të fortë editoriale dhe informative nga e hëna në të premte në “prime time” dhe me argëtimin në mbrëmjen e dytë dhe fundjavë, duket se “Top Channel” gjithashtu po stabilizon këtë tendencë edhe këtë sezon.
Emisioni “Top Story” i Sokol Ballës, në ekran për vitin e 12 dhe me takim të dyfishtë prej dy sezonesh, tashmë vjen me një format të eksperimentuar me sukses gjatë zgjedhjeve. Nga e hëna në të enjte, katër herë në javë, “Top Story” vjen me format amerikan 60 minuta. Emisioni do të zgjerojë gamën tradicionale që ka qenë e fokusuar kryesisht tek politika, tek të gjitha zhvillimet kryesore të ditës. Kjo forcon “prime time”-n në “Top Channel”, që është edhe fasha më e ndjekur në vend, me edicionin qendror të lajmeve të orës 19.30, emisionin e suksesshëm “Fiks Fare” dhe në ora 21:00 me “Top Story”. Nga burime brenda televizionit më të madh e më të ndjekur në vend, kjo do të sjellë një afrim në orare edhe të programeve të tjera të rendesishme në “Top Channel” që do të nisin në orën 22.15. Kështu të hënën rikthehet në këtë orar “Procesi Sportiv”, të martën me “100 milionë”, të mërkurën me “Top Show”, duke lënë të enjten një hapësirë më të bollshme për programe argëtuese pas “Top Story”. Televizioni duket se po përgatitet për një tjetër emision me natyrë informative fiks në mesnate por emri dhe formati mbeten ende surprizë. Por tradita e këtij televizioni me këtë natyrë programi si dikur “Ora Zero”, premtojnë paraprakisht suksesin.
“Top Channel” po përgatitet të nisë një supersezon edhe në “entertainment” (argëtues), me emisione si “The Voice of Kids” apo emisioni i rilindur “Pop Culture”, “Dua të të bëj të lumtur, “The Voice”, “Big Brother Vip” dhe surpriza të tjera, përfshirë edhe një spektakel të ri drejtuar nga Luana Vjollca. Menaxhmenti i ri i televizionit që tashmë drejtohet nga Vjollca Hoxha edhe me cilësine e pronares së plotë, ka vendosur që televizioni t’i përgjigjet zhvillimeve të kohës. Burime pranë “Top Channel” thonë se që një program të jetojë në ekran duhet të ketë audiencë, por njekohesisht edhe një balancë të drejtë mes shpenzimeve dhe prurjeve në reklama. Kjo shpjegon mesa duket reformimin e programeve diten e dielë.
Ndërkohë që “Portokalli” është i padiskutueshëm në sukses, audiencë dhe marketing. Televizioni ka konfirmuar edhe këtë sezon “Formula 1”. Por për këto arsye duket ka bërë “divorcin” me Adi Krastën, i cili sipas të njëjtave burime nuk do të jetë më në ekranin e “Top Channel”. Reformim të thellë do të ketë edhe emisioni “E diell”, si dhe fasha orare që ai dikur mbulonte. E sigurtë është që “Top Channel” i cili nuk është më i vetmi i suksesshëm në tregun mediatik, po operon me shpejtësi për të konsoliduar atë që e ka prej kohesh: Vendin e parë në telekomandën e shqiptarëve./ revistawho.com