Duke filluar nga kjo e hënë 3 mars në primetime, në ekranin e RTSH do të fillojë transmetimin seriali televiziv me skenar dhe subjekt të regjisorit Besnik Bisha me titull Millenium.
Një film i ndarë në 5 seri, por i konceptuar si një i tërë. Filmi vendoset në tri kohë, në vitet ’80, ’90 dhe 2000. Është një lloj sage, është historia e një shoqërie në këto etapa, me shqetësimet e kohës. Televizioni Shqiptar ka prodhuar edhe më parë seriale, të cilat fokusohen më së shumti te probleme si trafikimi, prostitucioni, por tek Millenium kemi të bëjmë me një gjini tjetër, me një film artistik, serial dhe shumë gjëra ndryshojnë, që nga teknika, mënyra si xhirohet etj. Sa i takon temës, ajo është më e thelluar, e parë me një sy tjetër, ka tjetër fantazi, që filmi artistik e kërkon. Sa i takon cast-it të aktorëve, mes tyre dallon emra si Ndriçim Xhepa, Enea Zhegu, i njohur të gjithë për rolin e Tomkës, që shënon një rikthim në kinema, Ervin Bejleri, por edhe tri vajza bukuroshe: Olta Gixhari, Klea Huta dhe Eralda Hitaj, që pa dyshim do tërheqin vëmendjen e audiencës.
Trailer