Fillimisht, duhet të bëjmë një marrëveshje: të mos i quajmë telenovela. Profesor Arzu Ozturkmen, i cili jep lëndën e historisë në Bogaziçi University në Stamboll, u shpreh për The Guardian se “janë kundër përdorimit të këtij termi”. Ato që prodhon Turqia nuk lidhen me telenovelat apo dramat periodike, ato quhen dizi (nga turqishtja – seri); me narrativë unike, hapësirë dhe muzikë. Dhe janë shumë, shumë të njohura.
Falë shitjeve ndërkombëtare dhe shikimit në mbarë botën, në disa vende, Turqia është e dyta pas SH.B.A në shpërndarjen televizive. Prodhimet e saj kanë tërhequr goxha audiencë në Rusi, Kinë, Kore dhe Amerikën Latine. Aktualisht, konsumatori më i madh i dizi është Kili, ndërsa Meksika dhe Argjentina paguajnë më shumë për t’i blerë.
Çfarë janë konkretisht dizi?
Dizi përshkruhen si epika gjithëpërfshirëse, ku secili episod zgjat më shumë se dy orë e gjysmë. Koha e reklamave është e lirë dhe mbikqyrësi shtetëror i transmetimit lejon që në 20 minuta dizi, të futen 7 minuta reklama. Dizi kanë kolona zanore origjinale dhe mund të përfshijnë më shumë se 50 personazhe kryesore. Kanë tendencën që skenat të xhirohen në vende në zemër të Stambollit historik dhe studiot përdoren sa më pak të jetë e mundur.
Eset, një skenarist i njohur dhe krijuesi i “Shekullit të Madhërishëm” të njohur edhe si “Sulejmani i Madhërishëm”, tha për The Guardian se në tematikë, dizi tregojnë kujdes në disa elemente:
- Nuk mund të vendoset armë në dorën e heroit të ngjarjes.
- Qendra e çdo drame është familja.
- Një i huaj do të “udhëtojë” në një mjedis social dhe ekonomik që është i kundërt me origjinën e tij.
- Pasi personazhet zhgënjehen nga dashuria, zemra e tyre është e mbyllur në mënyrë tragjike ndaj ndjejave romantike.
- Asgjë nuk e prish një trekëndësh dashurie.
Eset thekson se përpiqen që “djalin e mirë ta dashurojnë me vajzën e mirë, por ndonjëherë jeta ka të papritura dhe njerëz negativë rreth e rrotull”.
Sipas Izzet Pinto, themelues i Agjencisë Globale me qendër të Stamboll, fama e prodhimeve turke nisi me “Një mijë e një netë” (Përrallat e Shehrezades) në 2006-n, dhe u pasua me “Gümüsh”(Gymysh). “Një mijë e një netë” u transmetua në 80 vende të botës. Më pas, suksesi u rrit akoma më tepër me “Sulejmanin e Madhërishëm”, që rrëfente historinë e sulltanit të dhjetë të Perandorisë Osmane, që dashurohet me një konkubinë të quajtur Hyrrem.
Kur u transmetua për herë të parë, “Sulejmani i Madhërishëm” rrëmbeu pothuajse një të tretën e shikueshmërisë në vend. Në media, u cilësua si “Sex and the City” i epokës osmane, ndërsa të tjerë e krahasuan me “Game of Thrones”. Për realizimin e tij, producentët bashkëpunuan me konsulentë të shumtë historikë dhe ekipi përbëhej nga 130 persona, ku 25 njerëz punonin vetëm me kostumet.
Prodhimi mbi figurën e Sulejmanit u pa nga më shumë se 500 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ishte dizi i parë i blerë nga Japonia. Që nga viti 2002, rreth 150 prodhime turke janë shitur në më shumë se 100 vende.
Suksesi ndërkombëtar i filmave dizi janë një shenjë se kultura e lindjes, duke filluar nga Bollywood e deri te K-pop, po sfidon kulturën perëndimore. Ekspertët nga Turqia mendojnë se shkak për këtë sukses është se televizioni amerikan dhe perëndimor në përgjithësi, është argëtus, por nuk prek ndjenjat që na bëjnë njerëz.
Narracioni i këtyre filmave përqëndrohet te vlerat dhe parimet tradicionale në raport me botën moderne. Për shembull “Fatmagül” u përqëndua te përdhunimi i një vajze të re dhe beteja e saj për të vendosur drejtësi. Së shpejti, pritet që “Fatmagül” të përshtatet nga prodhuesit e telenovelave spanjolle.
Ndonëse përgjithësisht dizi kanë trajtuar abuzime, përdhunime dhe vrasje për çështje ndjeri, burrat portretizohen më romantikë se Romeo. “Ata u tregojnë njerëzve atë që duan t’u tregojnë,” thotë Pinar Celikel, redaktor mode në Stamboll.
Prodhimet dizi kanë ende punë për të depërtuar në botën anglishtfolëse dhe kjo mund të lidhet me audiencën që zotëron SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, që zakonisht nuk transmetojnë shfaqje me titra. Ose në fund të fundit, mund të jenë edhe paragjykues për faktin që kemi të bëjmë me një shtet islamik.
Turqit kanë qenë në kontakt me prodhimet televizive cilësore që prej viteve 1970. Kivanç Tatlitug, ylli i shumë filmave të njohur dhe një ndër më të pëlqyerit në Turqi, fama e të cilit ka depërtuar edhe në Shqipëri dhe vendet e tjera ballkanike, tregoi për The Guardian arsyen pse mendon se kinematografia turke po korr sukses. Aktori theksoi se i vlerëson serialet si “Breaking Bad” apo “Game of Thrones”, që janë padyshim të mrekullueshëm. “Nuk mendoj se ka të bëjë me çështje vlerash apo konservatorizmi, por me empatinë. Përpos suksesit të Game of Thrones apo Breaking Bad, disa njerëz mund të tërhiqen më shumë nga historitë e dizi.”
Kohëve të fundit, vihet re një lloj tërheqjeje ndaj transmetimit të prodhimeve turke. Një gjë e tillë shihet edhe te televizioni Klan, që së fundmi po transmeton prodhime të njohura amerikane dhe seriale të Netflix duke krijuar një barazpeshë me serialet dizi.
Megjithatë, deri në vitin 2023, qeveria turke shpreson që ta zgjerojë audiencën edhe më shumë në Amerikën Latine dhe Europën Perëndimore, veçanërisht në Itali dhe Spanjë. Ekspertët theksojnë se serialet turke nuk kanë ende një nivel të qëndrueshëm popullariteti, por megjithatë nuk mungon dëshira globale për të parë atë që dizi mund të ofrojë.
Ka pengesa që vijnë kryesisht nga Arabia Saudite dhe vendet e tjera aty rrotull, që kanë ndërprerë transmetimin e prodhimeve turke, por producentët mendojnë se “pushtimit të televizionit nga filmat dizi nuk i ka ardhur fundi”.
Përshtatur nga The Guardian nga anabel