Të gjithë autorët dhe artistët në mbrojtje të Sistemit Tarifor për të drejtën e autorit, kundër abuzimit të mediave.
Nesër, ditën e premte, datë 26 Janar 2018, në ora 11.00, pranë Gjykatës Administrative të Apelit në rrugën e Durrësit (ish-Ministria e Mjedisit), zhvillohet seanca e radhës së gjyqit ku mediat më të mëdha në vend kërkojnë shfuqizimin e Sistemit Tarifor për pagesën e të drejtës së autorit të miratuar nga Ministria e Kulturës. Ky Sistem Tarifor përbën hapin më të madh cilësor për zbatimin e plotë të së drejtës së autorit në Shqipëri. Anulimi i tij do të na kthente në periudhën e errët të mosfunksionimit të së drejtës së autorit në Shqipëri edhe për shumë vite të tjera. Klan TV, Top Channel, Digitalb, Top Albania Radio, Vizion Plus, Tring, RTSH, Abissnet, etj, janë mbledhur të gjithë bashkë, pa dallim, që të vazhdojnë të mos paguajnë asgjë për të drejtën e autorit të veprave që transmetojnë, ashtu siç kanë vepruar në gjithë këto vite.
Përballë kazanit mediatik të bashkuar, po përballen në këtë proces gjyqësor shumica e kompozitorëve e poetëve më të shquar në vend. Për sa kohë ky proces vazhdon, të gjithë autorët dhe artistët duhet të tregohen të vendosur e të bashkuar për një kauzë të drejtë në mbrojtje të së drejtës së autorit në Shqipëri. Ashtu siç këto media kaq të fuqishme paraqiten të bashkuara për mbrojtjen e interesave të tyre abuzive, ashtu edhe autorët dhe artistët duhet të jenë sa më shumë në numër e të bashkuar për të shprehur qëndrimin e tyre të vendosur në këtë proces.
Për arsyet e mësipërme, Ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni duke qenë të pranishëm në këtë proces gjyqësor ditën e premte, datë 26 Janar 2018, ora 11.00, pranë Gjykatës Administrative të Apelit në rrugën e Durrësit (ish-Ministria e Mjedisit), Gjykata Administrative e Apelit, Tiranë.
Këshilli Drejtues i ALBAUTOR