Serialet televizive Schitt’s Creek, Succession dhe Watchmen ishin fituesit e mëdhenj të Çmimeve Emmy gjatë së dielës, të cilat për shkak të pandemisë u cilësuan si “Pandemmy’s” pasi ceremonia u zhvillua pa të ftuar në sallë apo tapetin e kuq tradicional.
Schitt’s Creek, një serial kanadez për një familje të pasur që papritur humbet çdo gjë, bëri histori pasi rrëmbeu plot 9 çmime, përfshi këtu dhe atë për serialin më të mirë në zhanrin e komedisë.
Succession, përpjekja e një familjeje për të mbajtur pushtetin e një perandorie mediatike, fitoi çmimin seriali më i mirë dramatik.
Regjisori Jesse Armstrong përfitoi nga rasti për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj presidentit Donald Trump dhe për mënyrën sesi ky i fundit po menaxhon pandeminë. Ndërsa Wathchmen, i bazuar në librat komiks mori një sërë çmimesh, në një kohë kur tematika e serialit, e cila bën fjalë për dhunën policore dhe racizmin, është shumë aktuale dhe reflekton atë që po ndodh sot në Shtetet e Bashkuara.
Çmimet Emmy janë ekuivalenti i çmimeve Oscar por për filmat me seri dhe këtë vit, yjet kinematografikë e ndoqën shfaqjen në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë COVID-19. Ceremonia virtuale u prezantua nga Jimmy Kimmel.