Në qytetin bregdetar të Sarandës ka filluar mbjellja e lulishteve me lule shumëngjyrëshe.
Saranda është e pëlqyer për të jetuar dhe e kërkuar për të pushuar, edhe për ajrin e pastër dhe gjelbërimin që ofron.
Përveç plotësimit me mijëra pemë më shumë, që i është bërë kurorës së qytetit, tashmë edhe lulishtet po lulëzojnë nga lulet, duke shtuar gjelbërimin në qytet.
Sipërfaqeve ekzistuese të destinuara për pemë dhe lule, së fundmi Bashkia u shtoi edhe të tjera, të përftuara nga lirimi dhe sistemimi që iu bë hapësirave në Rrugën “Jonianët”.
Këto hapësira jo vetëm që u pajisën me ndriçim në pjesën e trotuarit, por u mbollën edhe lule e pemë dekorative, duke ofruar mjedis të pastër dhe ekologjik.
Për krijimin e hapësirave të gjelbra edhe bizneset kanë dhënë kontributin e tyre duke gjelbëruar mjediset rreth tyre.
Punonjëset e bashkisë së Sarandës kujdesen dhe i mirëmbajnë lulishtet, duke bërë të mundur që kushdo që vendos të çlodhet, të shijojë jo vetëm bukurinë, por të vlerësojë edhe pastërtinë.
Saranda mirëpret çdo vit mijëra turistë. E përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, është e rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare