Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar për herë të parë në lidhje me vendimin për t’u dorëhequr. Pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së 25-vjeçarit, Lleshaj tha se vendimi i tij për t’u dorëhequr erdhi si vendim i një njeriu dhe një prindi që bashkohet me dhimbjen e prindërve të të riut. Në statusin e publikuar në llogarinë e tij të Facebook-ut, Lleshaj shkruan:
“Nuk kam pasur për asnjë çast iluzionin se unë do ta ndryshoj ministrinë apo Shqipërinë. Megjithatë jam përpjekur me të gjitha energjitë e mia për të lënë një gjurmë normaliteti në ushtrimin e detyrës.
Ministria e Brendshme është pozicionuar menjëherë drejt, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e punonjësit të policisë që sollën vdekjen e një qytetari, duke bërë kështu një akt elementar përgjegjshmërie, por edhe të pazakontë në historinë e re të vendit.
Përballë përpjekjes së autorëve të 21 janarit 2011 për të kërkuar sot një pretekst të ri për të mbjellë dhunë mes shqiptarësh bazuar mbi një episod tragjik dhe fatal, si dhe me vetëdijen e plotë se vendi ka nevojë për një model të ndryshëm sjelljeje politike kam vendosur të jap dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.
Nuk kam dashur në asnjë çast që sjellja ime në krye të Ministrisë së Brendshme t’i ngjajë asaj të shumë të tjerëve dhe sidomos asaj të autorëve të masakrave të 1997-ës, të 1998-ës dhe veçanërisht të 2011-ës.
Ndaj jam sot pafundësisht i lumtur që arrita të provoj përpara çdo shqiptari se unë nuk jam si ata. Jo. Nuk jam si ata.
Edhe pse, që nga dita e parë e marrjes së detyrës, më është dashur të përballoj një seri aktesh të dhunës histerike apo të angazhohem për policë të plagosur në detyrë nga verbëria e dhunës antishtet, asnjëherë nuk u ngjita gjatë protestave tek snajperët në tarracën e Kryeministrisë, siç bënin pa turp autorët e 21 janarit, asnjëherë nuk lejova përdorimin e armëve në protestat politike, asnjëherë nuk mora në mbrojte ndonjë polic apo person tjetër që shkeli ligjin dhe asnjëherë nuk u kërkova të tjerëve ndonjë standard që nuk e zbatoja vetë.
Janë këto arsye që më kanë bindur se TANI ËSHTË MOMENTI për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011.
Edhe sot jam përballë dilemës së fillimit, por në një kuptim tjetër. Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar.
Përgjatë më shumë se dy vjetëve në krye të Ministrisë së Brendshme, u përpoqa dhe arrita të ndryshoj për mirë shumë gjëra dhe e mbyll misionin tim me rekordet më të mira historike në fushën e rendit dhe të sigurisë publike në 30 vjetët e fundit të historisë së Shqipërisë.
U identifikova me vetëdije me çdo polic të Shqipërisë dhe i mbeta besnik këtij standardi. Edhe sot besoj se tek punonjësit e policisë qytetarët duhet të shohin Ministrin e Brendshëm, për sa kohë ministri pajtohet dhe pranon sjelljet apo qëndrimet e këtyre punonjësve.
Në të njëjtën kohë, u përpoqa dhe arrita që të mos ta ndryshoj veten time. Mbeta ai që isha, me të njëjtën strehë familjare, me të njëjtën familje, me të njëjtët miq. Nuk mora asgjë nga posti, përveç pagës që ishte më e ulët se të ardhurat që kisha përpara se të bëhesha ministër, nuk bleva, nuk shita, nuk ndërtova.
Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që jane fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë.”