Samsung Electronics po përmirëson pozitat si lider në industrinë e smartphone-ve të palosshëm me prezantimin e versioneve të reja të Galaxy Z Fold 3 5G dhe Z Flip 5G gjatë eventit të sotëm Unpacked. Gjenerata e tretë e këtyre pajisjeve ofron një eksperiencë të optimizuar më mirë se kurrë për të shfrytëzuar çdo inç të ekranit.
“Si një pionier dhe udhëheqës i industrisë në kategorinë e palosshme, ne jemi krenarë të ndërtojmë trashëgiminë tonë të inovacionit me Z Fold3 dhe Z Flip3. Këto pajisje i pajisin konsumatorët me teknologjitë që mundësojnë mënyra të reja për të maksimizuar dhe shijuar çdo moment me një ekosistem të ndërtuar mbi inovacionin.” tha dr. TM Roh, President dhe Shef i Komunikimeve Mobile në Samsung Electronics.
Për herë të parë Z Fold 3 dhe Z Flip 3 vijnë me një rezistencë ndaj ujit IPX8 dhe një teknologji të re në ekran ku është përdorur qelqi Corning Gorilla Glass Invictus, i cili është më rezistent ndaj rënieve apo gërvishtjeve. Shtresa e re mbrojtëse e ekranit jo vetëm që dihmon në qëndrueshmërinë e tij, por bën të mundur dhe përdorimin e S Pen Stylus për herë të parë në një ekran të palosshëm. Mekanizmi i palosjes është përmirësuar gjithashtu duke bërë të mundur mbylljen e hapësirave ku mund të futen pluhura që e dëmtojnë atë.
Galaxy Z Fold 3 5G
Galaxy Z Fold 3 5G është produkti ideal për të gjithë përdoruesit që duan të kenë fuqinë e një tableti në xhepin e tyre. Ai vjen me një ekran të brendshëm 7.6 inç Super Smooth 120Hz që është 29% më i ndritshëm krahasuar me paraardhësin ndërkohë që konsumon më pak energji, ndërkohë që ekrani i jashtëm është 6.2 inç. Për të “ngushëlluar” paksa fansat e serisë Note, Samsung ka vendosur që të ofrojë suport për S Pen (S Pen Fold Edition dhe S Pen Pro) në Z Fold 3 5G.
Për sa i përket baterisë, Z Fold 3 ka një kapacitet prej 4,400mAh që mund të karikohet shpejt me karikuese 25W.
Kamerat janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e këtij smartphone-i të palosshëm. Ai është i pajisur me 5 kamera në total: një kamera selfie 10MP në ekranin e jashtëm, një nën ekranin e brendshëm 4MP dhe 3 në pjesën e pasme (Ultra-Wide 12MP, kamera kryesore 12MP dhe Telephoto 12MP).
Galaxy Z Fold 3 5G do të ofrohet në ngjyrat E zezë e tejdukshme, e argjendtë e tejdukshme dhe e gjelbër e tejdukshme në çmimin prej 219,900 Lekë për versionin me 256GB internal storage.
Galaxy Z Flip 3 5G
Galaxy Z Flip 3 5G ofron balancën ideale mes stilit, funksionit dhe argëtimit. 4 ngjyrat krem, e gjelbër, vjollcë e hapur dhe e zeza e tejdukshme do t’i tërheqin menjëherë përdoruesit. Risia e këtij smartphone-i këtë vit qëndron në ridizenjimin e Cover Screen. Tashmë ai është 4 herë më i madh dhe ju do ta keni më të lehtë të kontrolloni njoftimet pa e hapur fare smartphone-in.
Ekrani i brendshëm vjen me një madhësi prej 6.7 inç dhe refresh rate 120Hz për një eksperiencë fantastike. Kapaciteti i baterisë së Z Flip 3 5G është 3,300mAh dhe mund të karikohet shpejt me karikuese 15W.
Ndryshe nga Z Fold 3, ky smartphone do të ketë vetëm 3 kamera, një selfie 10MP dhe dy në pjesën e pasme, një kamera Ultra-Wide 12MP dhe një kryesore 12MP. Galaxy Z Flip do të vijnë në opsionin 128GB me çmimin prej 129,900 Lekë.