Arjan Sala, kërkimet për të cilin vijojnë sot në ditën e tretë, është heroi i një ngjarjeje të rëndë me përmasa tragjike. Ai ishte nisur të mërkurën si çdo ditë në vendin e tij të punës, kur magazina e biznesit privat ku ai punonte ishte përfshirë nga flakët, dhe 33-vjeçari rendi drejt katit nëntokë, ku ndodheshin disa punonjës.
Sipas dëshmive të punëtorëve të tjerë, ai ka mundur që të shpëtojë nga flakët 7 persona, por ka mbetur vetë i bllokuar si pasojë e zjarrit që ka nisur të përhapet brenda në magazinë, ndërkohë që janë gjetur dhe bombulat me të cilat ai kishte tentuar që të neutralizonte zjarrin.
Sala punonte në biznes që prej 3 vitesh, ndërkohë që ka lënë pas një fëmijë 2 vjeçar, bashkëshorten, vëllain e tij të vetëm dhe dy prindërit, të cilët presin me ankth një shenjë nga i afërmi i tyre.
33-vjeçari, i cili ka lindur në Kamëz dhe jetonte në Laprakë, ka punuar dhe më herët si punonjës sigurie, ndërkohë që fëmiljarët e tij në ditën e tretë presin me ankth një shenjë nga i riu.
Vazhdimisht ata kanë hedhur akuza në drejtim të shtetit, pasi thonë se ekipet e zjarrfikësve nuk kanë pasur mjetet e duhura për të ndërhyrë në magazinë, pasi jeta e djalit të tyre mund të ishte shpëtuar.
Minuta më parë ata patën përplasje dhe më ekipet e zjarrfikësve, të cilët nga ana e tyre pranuan mungesën e mjeteve të specializuara, ndërsa gjithë sa kërkojnë sot familjarët është gjetja e trupi të tij.
Shpresat që ai të ishte në jetë, u shuan me kalimin e orëve, dhe pas dëshmisë të ekipit të zjarrfikësve që kishin mbërritur nga Aeroporti i Rinasit, të cilët dëshmuan se temperatura në ambientet e brendshme të magazinës, kishte shkuar deri në 980 gradë.
Mes dhimbjes, lotëve, ankthit dhe zemrës që çahet, ata shprehen të tronditur dhe nuk dinë si ti japin lajmin djalit të Salës, i cili zor se kupton, sesi në vendin ku i ka rënë për fat të lindë, nuk mund të ndërhyhet në një magazinë ku bie zjarr.
”Ne po e qajmë këtu te porta, pa më dalë xhenazja. Ne nuk po bëhemi pengesë, ju lutemi shumë, na e jepni një informacion, pse nuk keni thënë ju të vijë një familjar. Prononcimin për mediat na i jepni më vonë. Ju nuk keni pasur paisje, keni qënë me bombla 3 litroshe, mungesë mjetesh, një veshje antizjarr nuk e kishin ata njerëz gjatë natës? Erdhën vetëm dje nga ora tre. A nuk është gjynah kjo që ndodhi”, u shpreh xhaxhai i viktimës gjatë përplasjes që patën me punonjës të zjarrfikëses.