Që nga fillimi i pandemisë, roli i simptomatikëve ka qenë një nga të panjohurat kryesore në lidhje me Covid-19. Debati shkencor është fokusuar kryesisht në numrin e tyre, krahasuar me numrin e përgjithshëm të pacientëve, si dhe në rolin e tyre në transmetimin e infeksionit. Krahasuar me disa muaj më parë, sot kemi më shumë të dhëna në dispozicion. Tani disa detaje janë më të qarta, ndërsa të tjerat mbeten temë e debateve.
Çfarë do të thotë asimptomatik?
Njerëz asimptomatikë, janë ata që nuk shfaqin asnjë simptomë gjatë kohëzgjatjes së sëmundjes. Shumica e njerëzve, zhvillojnë simptoma brenda 7-13 ditëve nga infektimi me Covid-19. Cilido që nuk tregon shenja të infeksionit edhe në këtë hapësirë të zgjatur kohore, mund të konsiderohet pozitiv asimptomatik.
Shumë pacientë janë “paucisymptomatic”, pra që kanë simptoma shumë të lehta, ndërsa të tjerët – ata parasimptomatikë – i infektojnë kontaktet e tyre më të afërta në ditët që i paraprijnë simptomave. Këto ndryshime krijuan konfuzion në fazat e hershme të sëmundjes, kur deri në 81 për qind të rasteve mendohej të ishin asimptomatike.
Sa nga të prekurit mbeten pa simptoma?
Sot e dimë se rreth 1 në 5 infeksione të reja të koronavirusit janë asimptomatikë. Sipas një analize të fundit të literaturës shkencore mbi këtë temë, e cila përfshiu 13 studime dhe 21.708 njerëz, pjesa e asimptomatikëve është 17 për qind e numrit të përgjithshëm të rasteve. Shkencëtarët, zbuluan se njerëzit që nuk kishin shfaqur simptoma për të paktën 7 ditë nga tamponi pozitiv, ishin asimptomatikë.
“Rezervuarë viralë” të heshtur?
I njëjti studim, arriti në përfundimin se njerëzit asimptomatikë kanë 42 për qind më pak të ngjarë ta transmetojnë tek të tjerët SARS-CoV-2, sesa ata me simptoma. Një rrezik më i ulët i infektimit, dokumentohet gjithashtu nga një sondazh tjetër epidemiologjik i kryer në Gjenevë, në të cilin u studiua transmetimi i virusit midis njerëzve që bashkëjetonin. Rreziku i kalimit të Covid-it nga një asimptomatik tek partneri me të cilin bashkëjeton, ishte 25 për qind më i vogël, sesa në rastin e një simptomatiku.
Të sillemi të gjithë si asimptomatikë për të mbrojtur të tjerët
Gjithsesi, ajo që balancon rrezikun më të ulët të transmetimit të kësaj kategori, është fakti se gjithsesi njerëzit simptomatikë me Covid-19 janë në qarkullim, dhe në kontakt me të tjerët gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit të tyre. Ata i shpëtojnë gati gjithmonë gjurmimit, dhe duke mos qenë të izoluar, paraqesin një rrezik të mundshëm.
Në përgjithësi, sipas Qendrave Amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve , më shumë se gjysma e infeksioneve vijnë nga njerëz që nuk shfaqin ende simptomat e Covid-19, dhe për këtë arsye nuk janë të vetëdijshëm se janë infektivë për të tjerët.
Kjo është arsyeja pse askush për momentin nuk duhet të heqë dorë nga distancimi social dhe maska. Derisa të bëni tamponin, nuk është e mundur ta dini nëse jeni asimptomatikë (apo presimptomatike), dhe nëse përbëni apo jo një burim infektimi për të tjerët.