Gazetarja Rudina Xhunga u ndal këtë të martë, në analizën e saj të përjavshme në rubrikën “Opinion”, në News24, te situata e krijuar nga koronavirusi.
Xhunga tha se kjo nuk është një lojë, dhe se më të rrezikuar nga e gjithë kjo situatë janë mjekët.
Sipas saj, është momenti që politika dhe shqiptarët të bëhen bashkë, pasi vetëm kështu mund të dalim të fituar nga ky virusi vdekjeprurës, që po tmerron botën mbarë.
Rudina Xhunga: Unë dua të them se nuk është lojë kjo situatë. Më të rrezikuar janë mjekët nga ata të çmendur që nuk tregojnë se janë të infektuar. Unë jo thjesht lutem për ta, por të rri në këmbë e të shoh çfarë ndodh me ta. Është një periudhë e gjatë, por e rëndësishme është t’ia dalim. Të mos bëjmë gam gam, siç bëri Italia në fillim, dhe duhet të gjejmë gjuhën politike. Po të jemi bashkë, do ja dalim. Evropa la jashtë Italinë, pa e ndihmuar. Edhe neve mund të mos na ndihmojë dot njeri, duhet t’ia dalim bashkë. Nuk ka njerëz të pasur e të varfër, nuk ka njerëz që mund të ikin jashtë e t’i shpëtojnë, jo. E vetmja siguri që ke në këto momente është familja jote, dhe ne mendojmë se jemi një familje e madhe e mund t’ia dalim.
Në shtëpi mund t’ia dalësh dhe të kuptosh se çfarë është familja. Kur zgjohem më duket sikur kam parë ëndërr dhe kjo nuk është e vërtetë. Njerëzit që kanë më pak frikë në këto momente mund të bëjnë çudira dhe të krijojnë të mira personale e kolektive. Në kohë karantine nuk ka vetëm gjoba, frikë, por duhet të ketë edhe frymëzim. Kjo e keqe ndodhi për një arsye, duhet të marrim më të mirën.
Ola Bruko: Çfarë parashikimi bën dhe çfarë këshillash jep?
Rudina Xhunga: Unë jam munduar të marrë këshillat nga OBSH. Politika le t’i bëj më vonë kritikat. OBSH është e vetmja që unë besoj. Mundohem të mos fus asnjë lajm të tipit ‘të shërohesh me raki dhe hudhër’. Këto gjëra në çorientojnë. Mundohem të shpërndaj informacion të vërtetë. Ne kujtuam se mund të vazhdojmë jetën normalisht, por nuk jemi të fortë, jemi përballë armikut të panjohur. E sigurt është vetëm që duhet të kemi këtë mënyrë të sjelluri, derisa të kalojë faza më e vështirë. Për momentin, le të bindemi, të bëjmë secili punën tonë.
Ola Bruko: A keni frikë?
Rudina Xhunga: Jo nuk kam frikë. Shqipëria ka kaluar, si në këtë kohë, ’97-ën dhe kam parë se si shqiptarët u çmenden. Unë besoj se shqiptarët mund t’ia dalin. Ne do të dalim më të mençur dhe më të fortë pas kësaj gjendjeje. Po të bëhemi bashkë, jo vetëm do i japim një impuls të mirë këtij vendi. Unë besoj, sepse nuk kam atdhe tjetër, por kam vetëm këtë vend”, përfundoi gazetarja Xhunga./bw