Rudina Hajdari ka komentuar shkarkimin e nënës së saj, Fatmira Hajdari nga Vettingu.
“Dita e sotme ka filluar me një lajm për familjen time. Shumë njerëz më janë hedhur në fyt dhe thonë që unë rri në Kuvend për time më. Ato që më janë hedhur si ujqër sot e morën përgjigjen, unë besoj te Reforma në drejtësi, kur e them për time më unë e them për të gjithë dhe nuk rri këtu për interesat e familjes sime”, tha Rudina Hajdari.
470 mijë $ të pajustifikuara dhe fshehu refuzimin e vizës nga SHBA/ Shkarkohet nga detyra Fatmira Hajdari: E pritshme! Avokati: Do e apelojmë
Shkarkohet nga detyra gjyqtarja Fatmira Hajdari! Në seancën e ditës së sotme, ku Hajdari ishte e pranishme, Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit vendosi shkarkimin e saj nga detyra, për shkak se kishte fshehur që i ishte refuzuar viza amerikane dhe nuk justifikonte 470 mijë $.
Për mikrofonin e Report Tv, ajo e komentoi këtë vendim të KPK-së me vetëm një fjali. “Ishte e pritshme”, tha Hajdari, teksa avokati i saj, Maks Haxhia tha se do ta apelojnë vendimin. “Do ta apelojmë sigurisht”, tha Haxhia në përfundim të seancës.
Çfarë ndodhi në seancën dëgjimore? Nga hetimi i thelluar i Komisionit të Vetingut rezultoi se gjyqtarja nuk justifikonte një pasuri me vlerë rreth 470 mijë dollarë. Komisioni i Vetingut e la të hapur mundësinë për ta ulur këtë shumë të pajustifikuar deri ditën e vendimit, nëse gjyqtarja sjell prova të reja për burimin e ligjshëm të parave të investuara në pasuri të paluajtshme.
Edhe Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar kishte paraqitur një raport, sipas të cilit gjyqtarja Fatmira Hajdari ishte e përshtatshme për të vijuar detyrën në drejtësi dhe se nuk kishte gjeruar asnjë indicie që mund të njolloste figurën e saj. Por, Komisioni i Vetingut ishte vënë në dijeni se Ambasada Amerikane në Tiranë i kishte anuluar vizën gjyqtares Hajdari, duke e ndaluar që të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këto kushte, Komisioni ka sinjalizuar DSIK-në, e cila ka ndryshuar raportin për pastërtinë e figurës për Fatmira Hajdarin. Në raportin e dytë, DSIK ka shënuar se gjyqtarja Hajdari nuk është e përshtatshme për të vijuar detyrën, pasi nuk ka deklaruar faktin e bllokimit të vizës.
Gjyqtarja Fatmira Hajdari dhe avokati i saj u mbrojtën duke thënë se, nuk kishte refuzim hyrje në SHBA, por thjeshtë një revokim të vizës deri në përfundimin e procesit të Vetingut dhe se kur ka plotësuar formularin për figurën, nuk e dinte se ia kishin anuluar vizën. Por, Komisioni i Vetingut theksoi se anulimi i vizitës, që do të thotë ndalim për të shkelur në Amerikë, është bërë para se zonja Hajdari të dorëzonte formularin.
Procesi i Vetigut të Fatmira Hajdarit është ndjekur nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs, i cili gjatë seancës dëgjimore shigjetoi dhe ironizoi më pyetje gjyqtaren, duke i vënë në pah paradokset e krijimit të pasurisë. Theo Jacobs është vëzhguesi më famshëm ndërkombëtar në procesin e Vetingut. Prezenca e tij është kthyer në një makth për prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë. Ai është i ashpër, i prerë, i papërfolur asnjëherë dhe që lëshon pyetje ‘përvëluese’.