Platforma e transmetimeve radio dhe televizive nëpërmjet internetit e Radio Televizionit Shqiptar, e njohur me emrin RTSH TANI, vjen prej ditës së sotme me një risi teknologjike.
Tashmë të gjitha kanalet e platformës janë të pajisura me shërbimin catchup.
Çfarë është ky shërbim?
Çdo program televiziv shihet jo në kohën reale, por disa orë dhe ditë pasi ai të jetë transmetuar.
Shërbimi u ofrohet të gjithë përdoruesve të platformës RTSH TANI që përdorin telefonat e zgjuar IOS ose Adroid, televizorët smart Android, që kanë të instaluar aplikacionin RTSH TANI, dhe që janë të lidhura me internetin.
Shërbimi ofrohet deri në shtatë ditë nga koha reale e transmetimit të programit për kanalin RTSH 1 dhe për kanalin RTSH SHKOLLË, ndërsa tre ditë për kanalet e tjera.
Ky shërbim është një ndihmë e madhe për nxënësit, të cilët mund të ndjekin programin mësimor të transmetuar ne RTSH SHKOLLË , jo detyrimisht kur ai transmetohet live, por mund ta gjejnë atë gjatë gjithë javës.
Shikuesi mund të ndjekë filmat e preferuar, koncertet, emisionet apo dokumentarët kur të dëshirojë.
Për herë të parë ky shërbim është futur edhe për programet e radios. Dëgjuesit e Radio Tiranës, në të gjithë platformën e saj radiofonike, pjesë e platformës RTSH TANI, mund t’i kthejnë dhe t’i dëgjojnë lajmet, emisionet, koncertet, përrallat etj., në kohën më të përshtatshme për ta.