Të ardhurat vjetore të Radiotelevizionit shtetëror Shqiptar kanë arritur një nivel të lakmueshëm për këdo. Sipas raportit, të paraqitur së fundmi nga ana e Këshillit Drejtues të RTSH në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë vitit 2015 në total u arkëtuan 2 miliardë e 531 milionë lekë të ardhura, nga të cilat 357 milionë lekë janë të financuara nga Buxheti i Shtetit për zërat e përcaktuar me ligj, ndërkohë që pjesa tjetër, që përbën 86 për qind të tyre, është siguruar nga taksa që u merret banorëve dhe bizneseve në faturën e konsumit mujor të energjisë elektrike, si dhe nga të ardhura dytësore.
Pra, e “përkthyer” në valutë të huaj, RTSH ka patur në dispozicion gjatë vitit të kaluar një buxhet prej 18.4 milionë eurosh. Megjithatë, të paktën në dy pika të rëndësishme, taksapaguesit mund të kenë jo pak vërejtje për “lumin” e parave që kanë dërguar drejt një operatori mediatik, në pronësi teorike të të gjithëve. Së pari, sa e ka luajtur rolin e vet ky institucion, duke u bërë interesant, duke rritur shikueshmërinë e vet. Dhe, së dyti, sa e ka realizuar projektin madhor të dixhitalizimit, për të cilin janë bërë debate të shumta, edhe politike.
Qytetarët e këtij vendi, me përjashtim të ndonjë emisioni sportiv ekskluziv, vështirë se do të optonin në zgjedhjen e kanaleve të shumtë, vendas e të huaj, në favor të RTSH-së dhe kjo mund të verifikohet me një anketim të thjeshtë. Ndërkohë që emisionet e lajmeve, që duhet të japin një pasqyrë të gjerë të situatës në vend, kanë mbetur një arenë e “qokave” për pushtetarë, duke larguar gjithnjë e më shumë shikues.
Nga ana tjetër, të bën përshtypje se, për të realizuar dixhitalizimin e transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë, RTSH sapo mori një kredi të fuqishme, ndërkohë që edhe të ardhurat i paska po kaq të fuqishme. Dhe, ndërkohë që vonesa prej disa vjetësh në fillimin e realizimit të këtij projekti, aq të kërkuar edhe nga bashkësia evropiane, do të kishte dhënë mundësinë për të grumbulluar një sasi fondesh, që do ta bënin të padobishëm marrjen e kresisë, sq më tepër që kjo e fundit, përveç principalit, kërkon edhe interest përkatëse, që u ngarkohen shqiptarëve. Vlen për t’u theksuar, madje, se qeveria shqiptare ka dalë garant për pagesën e këtij detyrimi.
Drejtuesit e institucionit ankohen për pengesa të natyrave të ndryshme në punën e tyre. “Këshilli Drejtues i RTSH është ndeshur me një sërë vështirësish që në momentet e para të konstituimit të tij. Vlen të theksojmë këtu se edhe vetë konsituimi i tij u arrit vetëm në maj të vitit 2015, edhe pse 5 anëtarët e tij ishin emëruar në dhjetor të vitit 2014; kjo, jo për faj të anëtarëve të Këshillit Drejtues, por për shkak të një ngërçi politik”, theksohet në raportin vjetor. Kjo vonesë, sipas drejtuesve, “do të sillte nevojën urgjente të një veprimtarie shumë të ngjeshur dhe të larmishme të Këshillit, në radhë të parë për zgjidhjen e problemeve immediate, të shkaktuara nga kjo vonesë, si dhe së dyti në hedhjen e bazave ligjore për ndërmarrjen e reformave të rëndësishme për këtë institucion”.
Si po shkon puna me dixhitalizimin?
Sipas raportit, vetëm më datë 19 mars 2015 u nënshkrua kontrata e zbatimit të projektit mes Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike, si autoriteti kontraktor, kompanisë Rohde & Schwarz, si fituese të tenderit dhe RTSH, si pala përfituese e rrjetit të transmetimit. Më pas, më 11 qershor u nënshkrua kontrata e huasë për financimin e projektit mes Deutsche Bank AG dhe RTSH, si dhe marrëveshja e garancisë për këtë kontratë huaje mes Deutsche Bank AG dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë.
Dhe vetëm në fund të korrikut 2015 nisi zyrtarisht zbatimi i projektit të ndërtimit të dy rrjeteve numerike të transmetimit të RTSH-s.
Ndërkohë, puna për këtë projekt, jo vetëm që nuk ka përfunduar, por kanë dalë edhe “bishta”. Aktualisht RTSH është në fazën e diskutimit të kontratës së shërbimit të mirëmbajtjes së rrjetit, si një detyrim ligjor i kontratës kryesore të zbatimit të projektit.
Zbatimi i dixhitalizimit, përveç vonesave deri në arritjen e marrëveshjes, ka pësuar zvarritje edhe në zbatim. Zëri “investime” i institucionit gjatë vitit 2015 është realizuar në masën vetëm 81.8%, përfshirë dixhitalizimin. Në kuadër të projektit me vlerë 25 milionë euro, janë shpenzuar 803 milionë leke, nga të cilat 15% e vlerës së kontratës, me vlerë 452 milionë lekë, detyrime kontraktore të marrëveshjes së huasë për 42 milionë lekë dhe zhdoganim i paisjeve të ardhura në vlerën 309 milionë lekë.
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com) – See more at: http://shqiptarja.com/media/2710/rtsh–institucioni-q–fiton-18-4-mln-euro-po–far–sjell–351790.html#sthash.nraVGID2.dpuf