Është promovuar në Radiotelevizionin Shqiptar filmi dokumentar “Një brez, një rrugë”. Një bashkëpunim i suksesshëm mes këtij institucioni dhe Radios së Jashtme të Kinës, filmi brenda 35 minutave i rrëfen publikut historinë e Rrugës së Mëndafshit. Dokumentari është realizuar nga regjisori Ylli Pepo me skenar të Iliaz Spahiut, kamera të Xhemal Reçit dhe producente Burbuqe Reçin, brenda 14 ditëve.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të radiotelevizionit Shqiptar Thoma Gëllçi, filmi është në vazhdën e bashkëpunimit disavjeçar institucionit që ai drejton dhe radiotelevizionit shtetëror të Kinës. “Falë këtij bashkëpunimi të ndërsjelltë në 25 vitet e fundit dy mediat tona kanë arritur të nënshkruajnë disa marrëveshje të përbashkëta në fusha të ndryshme. Si rezultat shkëmbimet e delegacioneve të drejtuesve të radiotelevizioneve, të gazetarëve,operatorëve,regjizorëve dhe teknikëve kanë forcuar edhe më shumë marrëdhëniet tona në dobi të dyanshme” tha drejtori i përgjithshëm i RTSH Thoma Gëllçi.
E pranishme me promovimin e filmit ambasadorja kineze Jiang YU shpjegoi se filmi është realizuar si pjesë e strategjisë së propozuar nga presidenti i Kinës që në vitin 2013, “Një brez, një rrugë”. Strategjia “Një brez, një rrugë”, e cila finalizohet me një takim ndërkombëtar në datat 14 dhe 15 maj, ka për qëllim lidhjen dhe bashkëpunimin mes shteteve të Evropës dhe Azisë. Pjesë e kësaj rrugë do të jetë edhe Ballkani.