Shqiptaro-amerikani Ardian Zika u largua nga Kosova në moshën 17 vjeçare në kërkim të një jete më të mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 21 vite më vonë, më 2018, ai fitoi mandatin e tij të parë si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në shtetin e Floridës, ndërsa tani gëzon mandatin e tij të dytë në këtë detyrë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Zika thotë se arsyeja që e nxiti të futet në politikë është që të sigurohet se edhe gjeneratat e reja gëzojnë mundësitë që ai i gjeti në ShBA.
Nëntorin e vitit të kaluar shqiptaro-amerikani Ardian Zika fitoi mandatin e tij të dytë si përfaqësues i Partisë Republikane për një nga 120 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve të Floridës.
Rrugëtimi deri në këtë pozitë të rëndësishme në politikën e këtij shteti amerikan, thotë ai, është mishërimi i realizimit të ëndrrës amerikane.
“Unë jam një amerikan që e filloi rrugëtimin si emigrant nga Kosova. Jam mishërimi i veçantisë amerikane. Amerika është një komb i mrekullueshëm. Amerika është vendi të cilin Ronald Reagan e quajti qyteti që ndriçon në kodër, ku kushdo, nga çdo sferë e jetës, mund të vijë, të punojë dhe të arrijë sukses sepse mundësitë këtu janë të pafundme,” thotë zoti Zika për Zërin e Amerikës.
Shqiptaro-amerikani Zika erdhi në ShBA në moshën 17 vjeçare, fillimisht në Luiziana, ku mbaroi shkollën e mesme dhe fakultetin, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Florida.
Për 14 vite ai punoi në sektorin bankar, ndërsa më vonë themeloi edhe kompaninë konsulente në fushën e biznesit “Guardian Street”.
Përkundër karrierës së suksesshme në sektorin privat, ai thotë se gjithmonë ishte i interesuar në politikë, sepse e ndjente si detyrim për të kontribuar për vendin, që i dha gjithçka.