Këtë të hënë, në 15:30, në ekranin e “News 24” do të fillojë një emision i përditshëm, nën drejtimin e moderatores së njohur, Anila Çela.
Gazetarja dhe moderatorja ka preferuar që të ketë emrin e saj në titullin e emisionit, duke e pagëzuar “Rrugëtim me Anilën”.
Bëhuni gati të shihni një prodhim të ri televiziv, i cili i shtohet programacionit cilësor të ekranit lider, “News 24”!. Më poshtë keni intervistën e Anila Çelës, e cila na zbulon më shumë mbi këtë risi televizive.
Së fundmi keni vendosur të largoheni nga “Vizion Plus”, për të ardhur në “News 24”. Cila ishte arsyeja e këtij vendimi?
Ndryshimi i televizionit ka qenë një ndër vendimet më të vështira që kam marrë vitet e fundit. Arsyeja kryesore ishte pikërisht koha e gjatë që më lidhte me “Vizion Plus”. Nisa në një moshë shumë të vogël dhe nën atë logo u formova e u rrita edhe profesionalisht. Kam kaluar eksperienca të bukura televizive, por edhe kam punuar e jam lodhur shumë. Ndoshta po kjo arsye, pra, koha e gjatë, më bëri të mendoj për një ndryshim. Mendoj se vjen nje moment që gjithkush ka nevojë të nisë diçka të re që e motivon. Edhe unë kisha mbërritur në këtë fazë, kisha nevojë të provoja nje logo të re, nje audiencë ndryshe dhe frymë të re bashkepunimi.
Këtë të hënë, ju do të jeni në transmetim me një emision të përditshëm. Mund të na flisni më shumë për të. Me çfarë emri e keni pagëzuar dhe në çfarë ore do të transmetohet?
Të hënën fillojnë emocionet e bukura të live-it që më kanë munguar këtë periudhë. “Rrugëtim me Anilën”, kështu u pagezua titulli i emisionit. Kjo, pasi nisi si një rrugëtim i ri i imi, dhe sepse vetë studio është si një destinacion që ikin e vijnë të ftuar të ndryshëm, duke rrugëtuar mes temave dhe bisedave të larmishme që përditshmëria na ofron. Emisioni do të jetë çdo ditë, nga e hëna në të premte, në orën 15:30, live ne “News 24”.
Çfarë do të gjejnë teleshikuesit në këtë emision dhe çfarë ka të veçantë në krahasim me formatet e ngjashme?
Teleshikuesit në këtë emision mendoj se do të gjejnë gjithçka, përjashtuar politikën. Ajo që ne duam të bëjmë është të jemi të larmishëm nga dita në ditë dhe të mos ruajmë një linjë fikse të formatit. Kjo, për të mos u bërë të mërzitshëm dhe të parashikueshëm. Rrugëtimi ynë na çon kudo dhe do jemi aty për këdo.
Cilat do të jenë temat dhe personazhet që keni menduar për të startuar?
Emisioni i parë do ketë një temë “Të lumtur”, siç është edhe ajo që konsiderohet dita më e lumtur në jetën e një çifti. Do kemi një çift shumë të këndshëm, që do të na rrëfejnë për dasmën e tyre, të realizuar pak javë më parë, dasmë në kushte Covidi… Do ketë edhe disa inserte e shumë kuriozitete nga terreni dhe dy të ftuar të tjerë të botës së artit për një problematikë aktuale. Kaq po zbuloj…
Ju vetë çfarë pëlqeni më shumë nga ky format dhe nga kjo lloj pune, meqë keni vite që e bëni, ku e merrrni kënaqësinë personale?
Disa muaj më parë i kisha thënë vetes që nuk do bëj më produksione të përditshme, por ja që ky ritëm është ai që më karikon e më mban në një lloj presioni që mua më bën të jem produktive. Kënaqësinë ma jep që në momentin që filloj të mendoj per emisionin si do jetë, si do bëhet skenografia, temat, të lexoj per personazhet, të mendoj për një intervistë ndryshe, d.m.th., i gjithë procesi është një kënaqësi që mua më shijon shumë. Mendoj se është në të gjeturin e punës që do. Unë e dua këtë punë dhe për aq kohë sa do të më mungojë, do vazhdoj ta bëj, pavarësisht lodhjes që ka nje emision i përditshëm.
Gjatë eksperiencës suaj, cili ka qenë personazhi më i pëlyqer dhe më i vështirë për t’u intervistuar?
Ka aq shume personazhe të dashur sa të vjen keq t’i ndërpresësh për t’i bërë pyetje. Unë kam ende në memorie një intervistë të bërë në vitin 2013 në shtëpinë e të madhit Tonin Tërshana. Një shtëpi e vogel, modeste, e marrë me qira ku brenda saj jetonte një thesar. Një artist i madh që pata fatin ta takoj dhe intervistoj. Të vështirë nuk kam një emër, ka personazhe që të krijojnë bezdi apo të ftuar që nuk të japin aq sa ti do, por që kalon…
Tani që jeni në “News”, çfarë keni gjetur ndryshe në këtë televizion?
Në “News24” kam gjetur një mikpritje që ditën e parë. Disa prej kolegëve i njoh e më njohin, qoftë personalisht, qoftë permes ekranit. “News 24” është nje televizion informativ, ndaj menyra e të punuarit eshte ndryshe, ka tjeter ritëm dhe prioritete. Por pak nga pak po përshtatem me ambientin, kolegët dhe shpresoj shpejt edhe me audiencën e re.
Meqë jeni nënë e dy fëmijëve, ku e gjeni kohën për një angazhim të tillë impenjativ profesional dhe detyrimeve në familje si nënë dhe bashkëshorte?
Familja e fëmijët janë prioriteti im parësor. Janë ende të vegjël dhe kanë nevojë për praninë time sa më shumë. Nuk është e lehtë të perballoj ngarkesën e ditës, duke përmbushur detyrimet e punës dhe familjes. Mundohem të organizohem, zgjohem herët e fle vonë. Gatuaj në darkë për të nesërmen, shfrytëzoj fundjavën për punët që duan më shumë kohë, ndajmë detyrat me bashkeshortin për të çuar femijët në shkollë apo pazaret e ditës. Disa gjëra pune bëhen edhe në shtëpi, një tekst, nje skaletë, ndonjë telefonatë etj. Pra, është një ritëm që jam mësuar dhe thjesht e ndjek.
Kush kujdeset për pamjen tuaj meqë jeni gjithnjë perfekte?
Pamja ime nuk është edhe aq perfekte. Koha që i kushtoj rëndësi më shumë se zakonisht është pikërisht koha televizive. Zgjedh veshjet, shkoj më shpesh të lyej floket, d.m.th. kjo është një pune që ti do të jesh mirë, ndaj nuk i neglizhon dot këto detaje. Për fat kam një ndër mikeshat e mia më të mira, grimieren time 10-vjeçare, Mondën, që më “tërheq” veshin kur duhet të shkoj për të bërë ndonjë trajtim flokësh ose kur nuk jam mirë në pamje më bie telefoni: Kalo këtej nesër urgjent!