Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, Ministria e Shëndetësisë ka hapur spitalin Covid-3, i cili gjendet në godinën e ish-Kirurgjive, në brendësi të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.
E premtja ka shënuar numër rekord me 301 të shtruar në dy spitalet Covid e për pasojë të gjitha kapacitet janë ezauruar.
Struktura e re ka një kapacitet prej 150 shtretër dhe një njësi Reanimacioni. Për t’u ardhur në ndihmë pacientëve, të gjitha dhomat e spitalit Covid-3 janë pajisur me respiratorë, oksigjen dhe monitorë.
Gjithashtu është gati edhe ekipi mjekësor me mjekë dhe infermierë, të cilët kanë kryer edhe trajnimin disa mujor në spitalin Infektiv. Spitali Covid-3 fillimisht do të jetë një strukturë mbështetëse e dy spitaleve të tjera.
Pacientët të cilët përmirësohen nga ana klinike dhe negativizohen nga Covid, do të zhvendosen tek spitali Covid 3 për rehabilitimin e plotë pas sëmundjes.