Policia e Shtetit ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e pasditen e sotme, ku pesë persona u rrëzuan teksa po ngjisnin malin e Munellës në Pukë.
Deri tani raportohet se Ndoc Mula 60 vjeç rezulton ende i zhdukur, një alpinist tjetër, Ilir Shyti është plagosur, ndërsa gazetari Alfred Lela, operatori Gisel Dollani dhe Dorien Malaj janë jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se gjatë lëvizjes në këmbë Ndoc Mula, dhe Ilir Shyti, kanë rrëshqitur duke rënë në humnerë. Pas 2 orëve kërkimesh në një terren shumë të vështirë është bërë e mundur gjetja e Shytit, ndërsa vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 60 vjecarit.
“Policia e Pukës, shërbimet e zjarrëfikses dhe banorë të zonës i kanë ardhur në ndihmë disa alpinistëve.
Sot rreth orës 16:10, jemi njoftuar nga shtetasi A. L., se ka qenë duke eksploruar në Malin e Munellës së bashku me 4 alpinistë amatorë. Gjatë lëvizjes në këmbë 2 prej tyre, shtetasit Ndoc Mula, rreth 60 vjeç dhe Ilir Shyti, rreth 30 vjeç, kanë rrëshqitur duke rënë në humnerë.
Menjëherë kanë nisur kërkimet nga shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrëfikses, pjesëtarë të shoqatës së alpinistëve Pukë të cilët janë ndihmuar dhe nga banorë të zonës.
Pas 2 orëve kërkimesh në një terren shumë të vështirë është bërë e mundur gjetja e shtetasit I. Sh., i cili po transportohet në spital për ndihmë mjekësore si dhe vazhdojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit N. M”, njofton paraprakisht policia.
Mësohet se Lela, i shoqëruar nga operatori Gisel Dollani dhe tre personat e tjerë ishin nisur për të bërë një reportazh për masivin pyjor të Munellës, pretendent për t’u futur në listën e zonave të mbrojtura.