Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka gati draft rregulloret shoqëruese të ligjit për “Tregjet Financiare të mbështetura në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” që i hap rrugë përdorimit të monedhave virtuale në vend, i miratuar gati një vit më parë nga Parlamenti.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i AMF-së Ervin Mete gjatë raportimit të tij mbi institucionin në Komisionin e Ekonomisë, sipas të cilit j vetëm AMF por dhe Këshilli i Ministrave kanë përfunduar aktet nënligjore dhe po shqyrtohen nga të gjithë aktorët e përfshirë në process.
“Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka draftuar rregulloret të cilat janë dërguar për shqyrtim te autoritetet respective sepse vetë ligji parashikon një sërë institucionesh të përfshira, ku veç AMF-së më kryesori është AKSHI që duhet të japë një certifikim të aspekteve dhe sigurisë teknologjike të aktorëve që përfshihen në këto tregje.
Nga ana tjetër vetë ligji referon Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave si një aktor i përfshirë dhe për një kategori licencash që do bëjnë të mundur konvertimin e këtyre aseteve në para fizike përfshin dhe Bankën e Shqipërisë për të lëshuar një licencë respektive. Edhe ne kemi përgatitur draftrregulloret tona që janë qarkulluar për mendim dhe këshilli i ministrave në dijeninë tonë ka qarkulluar për mendim dhe jemi në fazën finale aktet rregullative”, shprehet Ervin Mete, kryetar i AMF.
Por, teksa kuadri rregullator nuk është plotësuar ende a ka pasur interes nga investitorë vendas e të huaj për zhvillimin e këtyre aktiviteteve?
“Deri tani duke qenë se dhe aktet rregullative nuk janë finalizuar nuk kemi pasur asnjë interes të shprehur për fashën në mbulimin tonë që është tregtimi ose përdorimi i aseteve virtual në tregjet e kapitalit”, tha Ervin Mete, kreu i AMF.
Me miratimin e plotë edhe të akteve nënligjore, Shqipëria bëhet një nga vendet e para në Europë që legjitimon kriptovalutat si Bitcoin dhe rreth 2000 monedha të tjera virtuale përmes përdorimit të teknologjisë blockchain. Krahas thithjes së investitorëve të huaj, përmes këtij ligji synohet edhe ulja e kostove të dërgesave nga emigrantët.