“Nuk ka vend që të ketë këtë det e këto male (ok, heqim Zvicrën) e këtë pozicion gjeografik ku je përballë Italisë e ngjitur ke Greqinë që bota e ëndërron për pushime. Të kesh këtë tokë pjellore, të jetë një laborator eksperimenti ku ti mund të nisësh sot gjëra që bota i ka bërë tashmë, i ka kthyer robotike, e prarë të jesh risi, ku mami me babin të mbajnë në shtëpi 30 vjeç, ku s’të braktis familja në rrugë (raste ka si kudo), ku s’ke lekë dhe prap nuk ja prish qejftin vetes as për dasma e as për udhëtime, as për shkolla, as për 4G. Ku fëmijët t’i mban akoma gjyshja. Ku në shumë vende shkohet në këmbë dhe s’ke pse udhëton 2 orë të ikësh në punë e të të ikë gjithë dita; ku mëngjesi nuk fillon me vrap duke rrufitur kafen me vrap në metro; ku mishi dhe peshku gatuhet në mënyrë të përsosur dhe ku gjella e shtëpisë akoma fiton mbi fast-foodin dhe ushqimin e ngrirë. Këto i kupton kur je emigrante.
“Më ngjan me dashurinë për familjen, të cilët ‘i shaj’ vetëm unë, por nuk lejoj njeri të ma prekë as me fjalë.”
“Klima fantastike, natyra e pasur, njerëzit mikpritës, gjuha unike.”
“Ja dua natyrën, bukuritë, klimën e mirë, ushqimet, thjeshtësinë e jetës dhe bashkëjetesën mes njerëzve. Ja dua gjuhën, shprehjet, mënyrën e të folurit, dialektet, më pëlqen sa ndryshe jemi në ca gjëra, sa të ngjashëm në të tjera, nga Jugu në Veri. Më pëlqen rëndësia që i japim familjes, afrimiteti mes nesh, marrëdhëniet e ngushta e si pavarësisht difekteve që kemi, prapë bëhemi bashkë. E dua për gjithë çka kemi e jemi, por jo për atë që është shndërruar vit pas viti. E megjithatë, është si dashuria për nënën, sido që të jetë, mbetet nënë, e sado ta kritikosh e të kesh rezerva, në fund të diës, asnjë s’do më shumë se atë.”
“Për bashkëjetesën që kemi ne, pa dallim kulture, feje, race. Për veshjet tona tradicionale që janë një shumëllojshmëri ngjyrash të ndërthurura aq bukur. Për këtë vendin e zhurmshëm që nuk të siguron asnjëherë, por përsëri nuk të lë të rrëzohesh. Për këtë që isha dje, jam sot dhe do të jem nesër.”
“Jetoj në Zvicër dhe është vërtet shumë bukur si nëpër kartolina, por nuk ka kurrsesi klimën perfekte të Shqipërisë, detin e bukur Jon, ditët me diell, kafen e mëngjesit në lokalin e preferuar, ushqimin më të mirë në botë, mishin dhe peshkun me shijen e përsosur, familjet më të dashura që ekzistojnë, gjyshërit që kujdesen dhe u japin dashuri nipërve dhe mbesave, miqësitë e zemrës që zgjasin një jetë, gëzimi dhe hareja në festa, aksesin në disa shërbime ku në Shqipëri mbaron punë për 5 minuta dhe me pak para. Unë e dua Shqipërinë në çdo ditë të vitit, sot e përgjithmonë.”