E rikthyer pas pushimeve, Roza rrëfeu mbrëmë në “Rudina” disa nga gjërat më të bukura që i kanë falur më shumë emocione gjatë këtij udhëtimi të gjatë në një vend të largët.
Fiksimi për tatuazhet i ka shkuar deri në Tajlandë, sepse atje zgjodhi të bëjë një shenjë ‘shaka’, një simbol i kulturës së largët që ka kuptimin ‘cool life’, ‘take it easy’, ‘relax’ – pikërisht si në momentin më të mirë që po jeton edhe Roza: “Sa herë që shkoj në vende turistike, përveç suvenireve, bëj edhe një tatuazh si kujtim…” tregon ajo për “Rudina”.
Për të treguar ka shumë, njerëz shumë pozitivë e mikpritës, edhe pse nuk e dinin dhe as e shqiptonin dot “Albania”, megjithatë shumë prej tyre shfaqnin dëshirën për të bërë foto me Rozin. Ushqimet, ashtu siç thuhet nga të gjithë, ishin shumë të shijshme, por në këtë pjesë, tregon Roza, nuk guxoi shumë.
Gjithçka i pëlqeu nga Tajlanda, por kush i kishte thënë se është një vend i lirë? Aq më tepër kur dalin edhe të papritura si ajo e rrëshqitjes nga shkëmbi, fatura bëhet më e shtrenjtë.
Gjithsesi, ishte një udhëtim për t’u mbajtur mend gjatë. Pas tij, është koha për t’u rikthyer në punë. Po ku? Siç është mësuar së fundi, Roza shumë shpejt do të jetë pjesë e një ekrani ku do të moderojë një program të sajin. Këtë sapo e ka konfirmuar në “Rudina”, por nuk do të zbulojë më shumë për të ruajtur surprizën: “Filloj shumë shpejt me një program që do e moderoj unë… Jam e bindur që të gjithë mezi po e presin, por nuk dua të zbuloj shumë dhe as nuk dua të them se ku, sepse dua ta ketë atë efektin bombastik në momentin e duhur…”, – tha ajo dhe me kaq e mbylli./ class