Numërohen rreth 120 role në teatër dhe kinematografi e TV, interpretuar prej saj në një karriere 55 vjeçare.
Roza Anagnosti-Xhuxha, ka lindur në Tiranë më 27 tetor të vitit 1943. Pas çlirimit të vendit më 1944, familja u shpërngul në qytetin e Shkodrës. Aty përfundoi shkollën fillore dhe të mesme. U aktivizua herët në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Roli i pare i saj në teatër është ai i Nuries në dramën “Kunora e Nuries” e K. Jakoves (1959), kur ishte 15-16 vjeç. Ne vitin 1960, spikati me rolin e Norës në dramën “Nora e Kelmendit” e A. Skanjetit, me të cilën u vlerësua në Festivalin II të Teatrove Profesionisteve (1962) si “Roli më i mirë i aktoreve femra”. Ra në sy temperamenti dhe shkathtësia e saj, energjia, përpunimi plastik i lëvizjes, ndjeshmëria, ritmi dhe dinamika. Ky rol i dha shansin të shpërfaqej në cilësitë më të mira të saj, të cilat do t’i përpunonte e përsoste më tej.
Në vitin 1964, u emërua aktore në Teatrin Popullor, ku ka luajtur shume role të suksesshme, prej nga edhe doli ne pension ne vitin 1995. Krijoi me dashuri figurën e Cucës në dramën “Cuca e maleve” te L. Papes (1967), me të cilën, falë një gjuhë të natyrshme, dha përpjekjen e grave dhe vajzave shqiptare në malësi për emancipimin e tyre, në kushtet e një patriarkalizmi dhe prapambetjeje të thellë, sikundër sublimoi aktin e martirizimit të saj për progres shoqëror, në përputhje me idetë e veprës, sot të diskutueshme dhe të kontestuara.
Zhdërvjelltësia e saj, sikurse edhe dhuntia për të operuar me rrafshe emocionale e përshtatmëri psiko-fizike kontradiktore, krijuan një kubaturë të mirë studiuar të veprimit përshkonjës të figurës së mëshiruar.
Më rolin e Bardhës në dramën Përmbytja e madhe (1977) e Kolë Jakovës thuajse e thyen formatin e saj, bëhet me “e ndjeshme”, ruan drojën dhe shpërfaq një natyrë njerëzore të brishtë, por që nuk lejon të nëpërkëmbet.
Me rolin e Violes në komedine “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit (1982), krijoi një personazh energjik, plot optimizem dhe dëshirë për jetën në suazën e një stili, sa klasik po aq të moderuar. Ajo luajti hijshëm me dyanësinë e personazhit femër- mashkull në kalimet e shpejta e të befta nga njëra përshtatshmëri te tjera, shpesh duke “e tradhtuar” enkas gjininë e saj për të vjelë humorin e situatës ku vepronte.
Tone tragjike e përshkojnë lojën e saj në personazhin e nënës te drama “Monserati” e Roblese, ashtu sikundër spikmat sarkastike te personazhi i Daces në komedinë “Valsi i Titanikut” i T. Mushateskut.
Roli i parë ne kinematografi është ai i mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (1963), për nga vijoi me tutje në role kryesore, 20 të tilla, ku u dallua te roli i Rudinës ne filmin Komisari i dritës, që e bëri të njohur e të parapëlqyer në rrethet artistike të kinemasë.
Me pas luajti rolet e doktoreshe Verës (filmi Plage te vjetra), Besa (filmi Fijet qe priten, me të cilin u nderua me Medaljon), për të mbërritur në figurën e saj më të realizuar, të ngrohtë e poetike, atë të Dafinës (filmi Mësonjëtorja, me të cilin fitoi Kupën e Festivalit të Katërt te Filmit Artistik Shqiptar, 1981).
Me këtë të fundit tërhoqi vëmendjen hijeshia, mençuria dhe fisnikëria e figurës, të se ndërtuara me një loje ne dukje “të qetë”, por ne thelb tejet të ndjerë e të vërtetë, e shprehur si vetëpërmbajtje dhe sens mase. Aktrimi i R. Anagnostit dallohet për natyrshmëri, për një frymë tejet të ngrohtë, ku gjendjet dramatike vijnë si pasojë e reflektimeve të ndjera e të thella mbi psikologjinë e personazheve.
Ajo është e besueshme, organike. Shpeshherë loja e R. Anagnostit fiton trajtesa të tipit timid e intim në role grash të ndrojtura ose të ndrydhura, sikurse bëhet e gjallë, e hapur, energjike në role luftërash ose në role vajzash që shpërthejnë konvencionet morale dhe cungimin që u bëhet personalitetit të tyre nga njerëz e ngjarje të padëshiruara, nga fati i mbrapshte ose faktorët sociale me karakter konservator. Aktrimi i saj në të shumtën e rasteve karakterizohet nga zhdërvjelltësia plastike, dinamika e të vepruarit, fjala e bukur si dhe çastet e shpërthimeve të përmbajtura emocionale. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar” “Mjeshtre e Madhe” dhe “Nderi i Kombit”. Ajo është bashkëshortja e regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti.
Role të tjera: Në teatër: Rina, dramatizimi i romanit Këneta (1962); Kordelja, tragjedia Mbreti Lir, Vita, dramatizimi i romanit Lumi i vdekur (1970); Liza, komedia I pazëvendësueshmi (1970); Mrika, drama Besa e madhe (1980); Shejla, drama Vizita e inspektorit (1984); Rakela, drama Tiranozauri (1996); Kristina, drama Trokitje në xhama (2001). Në kinematografi: Dhurata, filmi Rruga e lirisë (1980); Mrika, filmi Besa e kuqe (1982); Besmira, filmi Botë e padukshme (1987); gruaja e Emilit, filmi Rikonstruksioni (1988); plaka Nicë, filmi Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989).