Siç ndodh gjithmonë në datat 28 dhe 29 nëntor të çdo viti, edhe këtë herë temat kryesore ishin “Pavarësia”, “Flamuri” dhe sigurisht “Patriotizmi”. Për këtë të fundit është diskutuar edhe dje në emisionin “Dilema Sociale”, në “Top Albania Radio”.
I ftuari i Eno Popit për këtë temë ishte edhe Robert Aliaj, me të cilin u diksutua rreth të rinjve shqiptarë, arsyes pse ata largohen nga vendi, politikës, por edhe rreth këngëve patriotike, që për të janë në fakt antipatriotike.
Këngët patriotike që realizojnë artistët shqiptarë për Aliajn janë një turp, madje një poshtërsi që i bëhet vendet tonë. Ndër të tjera ai u tha (me zë të lartë):
“Pa pikë modestie… që nga Adelina Ismaili dhe të gjithë këngëtarët e tjerë kanë një nivel skandaloz, janë tallava e folklorike, poshtërsi që i bëhet vendit tonë. Këto këngë po abuzojnë me himnin… “O sa mirë me qen shqiptar” është turp i madh… është ambalazh për të mbuluar pisllëqet e tyre…”
Edhe pse Eno tha se këngë si ajo e Elvana Gjatës me Flori Mumajesin, “Kuq e zi je ti”, janë në fakt këngë të bukura patriotike, Roberti sërish kundërshtoi dhe i qëndroi bindjes së tij, që këto projekte përdoren nga këngëtarët si mënyrë për t’u reklamuar. Po ashtu Aliaj shtoi se akti i tij, që doli me “flamurin e thyer”, quhet një akt patriotizmi sepse rrezikoi jetën për këtë.