A ka një rivalitet mes Sokol Ballës dhe Blendi Fevziut? Në publik duket se po, nisur kjo edhe nga vendimi i fundit i Ballës për ta transmetuar emisionin “Top Story” katër herë në javë, po aq sa “Opinion”.
I pyetur për “kolegun-rival” sot gjatë një aktiviteti në Universitetin Europian të Tiranës, Sokol Balla ka thënë se ka respekt për Fevziun, por ai ndjek modelin e tij të gazetarisë.
“Sigurisht kam respekt për atë që ju e quani rival, unë e quaj kolegun tim. Besoj është përsoni që e nisi përvojën e debateve politike në vend prej 20 vjetësh dhe shumë të tjerë kanë vazhduar në gjurmët e tij, pavarësisht se jo shumë ia kanë dalë. Unë ndjek modelin tim të gazetarisë, nëse është ai i ndryshëm, nuk është në gjykimin tim ta vlerësoj”, ka thënë Balla.
Duke folur për gazetarinë, Sokol Balla thotë se ajo ndodhet në një krizë të përgjithshme, duke përmendur edhe imponimin e kasetave të gatshme nga aktivitetet e partive. Në gjykimin e tij gazetaria e re shqiptare mund të ndahet në tre faza; ajo romantike që për Ballën që ishte periudha e parë e saj pas viteve ’90, kur mes gazetarëve kishte solidaritet, punë të pavarur nga politika dhe investigimeve serioze. Faza e dytë është ajo e bumit ekonomik sipas tij që përkon me vitin 1999 e vijoi për gati një dekadë me hapjen
televizioneve e radiove e gazetave të reja. Faza e tretë është kjo që po jetojmë sot
dhe që është kriza, sipas Ballës./Tiranapost.al