Kostot e prodhimit në televizione janë rritur, ashtu sikurse ka ndodhur në çdo segment të ekonomisë, por duke qenë se ato janë pikë e fortë e programeve, ritmi ka mbetur i njëjtë. Fatos Risto, Drejtori i Programacionit në VizionPlus shprehet se, në këtë situatë, mund të shohësh edhe një anë pozitive.
Njerëzit në kohë krize orientohen drejt kursimit e për rrjedhojë, audienca rritet. Sipas tij, emisionet bazë në programacion janë edhe këtë sezon në VizionPlus, ku për disa janë bërë ndryshime, duke u përshtatur më mirë me kërkesat e publikut.
Si ka nisur ky sezon në Vizion Plus, cilat janë emisionet bazë të strukturës që qëndrojnë dhe cilat janë ato të reja që do të kemi mundësi të ndjekim?
Konfirmime të titujve kryesorë dhe të reja interesante për sezonin e ri televiziv. Personazhet e njohura e më të dashura për publikun janë angazhuar për të sjellë një sezon të ndryshëm nga tjetri. Mes titujve të njohur, formateve të reja dhe mbrëmjeve speciale plot argëtim, gjithçka është në fillim për një sezon të mrekullueshëm televiziv.
Dita nis me “7 pa5”. Vjen me një studio të rinovuar, më të zgjeruar për shkak të shtimit të rubrikave dhe të ftuarve që drejtohen nga Alma Çelaj dhe Xhoi Malsia.
“NEXT” del nga studio në një version totalisht exterier (jashtë studios), ku moderatorja Greta Allushi do të takojë personazhe të fushave të ndryshme, tendencat më të fundit të muzikës, histori njerëzore, të rejat më të fundit nga bota e sportit, parë nga interesi i të rinjve.
“Vizioni i pasdites” do të zgjerojë dritaren e aktualitetit ku përveç temave që sjellin në studio personazhe nga të gjitha fushat do të ndjekë direkt edhe ngjarje nga aktualiteti.
Prime-time me talk-show, talente dhe emocione nga dramat televizive hapet çdo mbrëmje me “FAKE OFF”, formati që parodizon lajmet e ditës dhe satirizon politikën dhe aktualitetin.
Mbrëmja e së hënës është një takim i dyfishtë me temat e nxehta të aktualitetit. Pranvera Borakaj do të vijojë të përballë çështjet e politikës dhe sociales me debate në studio, në prani të të ftuarve, me “Quo Vadis”.
Arena e debateve të mbrëmjes, në një prej studiove televizive më të rëndësishme, do të udhëhiqet përsëri nga Alban Dudushi me “SPOTLIGHT” mbi aktualitetin, politikën, kulturën e fenomenet sociale, me një prime-time të dedikuar edhe të premten.
Të martave, kënga i mbledh të gjithë. Do të shohim një talent-show të ri: GJENIU I MADH. Nën dritat e skenës, do të jenë “ëndërrimtarë” të rritur (mbi 35 vjeç) të cilët kanë talentin e të kënduarit, por që jeta, nuk ua ka dhënë mundësinë e shfaqjes së kësaj dhuntie, para një publiku të gjerë.
“Armiku i Popullit”, formati satitik do të vijojë misionin e tij, parodizimin e fenomeneve, personazheve dhe ngjarjeve pikante, si dhe paraqitjen e tyre përmes ironisë dhe komenteve nga Rezart Prifti.
Të enjtet i kushtohen investigimit në ngjarje të botës së krimit dhe sigurisë. Gazetari Sokol Bregu në “Natën e mirë dhe paç fat” do të vijojë të sjellë të dhëna dhe fakte rreth tyre për t’i përballur me mendimet e njerëzve më me influencë në opinionin publik.
Të shtunën, “Al Pazar” në Sezonin e 11-të. Sezon pas sezoni ka konfirmuar audiencën absolute në mbrëmjet e së shtunës në ekranet shqiptare dhe përtej.
Ndërsa të dielën, studio dedikuar ekonomisë: E-ZONE. Sot më shumë se asnjëherë për të kuptuar ekonominë na duhet një guidë. Të ftuar të gazetares Rajmonda Lajthia janë sipërmarrës, ekspertë ekonomie, profesorë, si dhe politikëbërësit e sektorit.
Vihet re rritje e kostove në segmente të ndryshme të ekonomisë, a e ka prekur kjo tendencë edhe prodhimin në televizione, a kushton më shtrenjtë sot të prodhosh një emision apo spektakël dhe cilat janë arsyet, nëse po?
Çështja e kursimeve të energjisë për sezonin e ardhshëm televiziv është në tavolinë kudo, ashtu sikurse edhe strategjitë për ta përballuar.
Prodhimi televiziv në vetvete është një energji, lëvizje, makina, karburant, takime, xhirime pa përmendur në fazën finale dritat, kamerat, mikrofonat që ushqehen nga energjia, në kuptimin e parë të fjalës.
Kjo është arsyeja pse kushton më shtrenjtë. Për sa kohë çmimi në faturën e shpenzimit të tyre ndryshon, ndryshon edhe kosto e vetë programit televiziv. Por nëse shohim të mirën te kjo “e keqe” shohim që reklamat arrijnë më shumë audiencë që “kursen”, duke qëndruar para TV. Në ueb për shembull, kemi një rezultat që është më i lartë se trendi i tregut TV.
Lexo edhe:
Në sezonin e ri të Top Channel kryefjala do të jenë formatet e njohur dhe prodhimet origjinale
Cilat janë disa nga blerjet më të rëndësishme të televizionit tuaj për këtë sezon sa u takon filmave, serialeve dhe telenovelave?
Negociatat dhe përzgjedhja për titujt është një proces i vazhdueshëm që nuk mbaron asnjëherë, prandaj mund të themi ata tituj për të cilët blerja është kryer.
I pari që ka nisur në fillim të sezonit është “Përrallë në Ishull”. Një histori romantike për të cilën të gjithë na pyesin ku është xhiruar. Seriali i çon shikuesit në një udhëtim në “ishullin e dallëndyshes”, një ishull i vërtetë i quajtur ndryshe edhe Alonnisos në greqisht.
Seriali është xhiruar në Sigacik, lagje bregdetare në rajonin e Izmirit të Turqisë. Ky serial krenohet me fotografinë spektakolare, nga regjisori Ali Bilgin.
Seriali tjetër që zë vend në orën 17:00 është “DASHURIA S’NJEH ARSYE”. E veçanta e kësaj drame romantike është se na njeh me personazhe të rinj, aktorë të një gjenerate të re, të paprezantuar me parë. Sa i përket historisë mjafton një pyetje: dashuron zemra apo mendja?
Disa skena të serialit janë xhiruar në Stamboll në lagjen e vjetër europiane që njihet për shtëpitë me ngjyra, Balat. Një projekt shumë ambicioz, si në histori edhe në aktorë.
Këtë sezon do të shohim edhe rikthimin e “Molla e Ndaluar”. Duke lënë pas pesë sezone të suksesshme, seriali i njohur i FOX do të jetë gati të takojë publikun në sezonin e tij të ri dhe ambicioz. Seriali që tërheq audiencën me skenat plot tension, dashuri dhe pasion xhirohet në Stamboll dhe disa skena edhe në Toskana të Italisë.
Ndërsa në pjesën e dytë të sezonit, janar – shkurt 2023, do të provojmë mbërritjen e një formati me “dekorate” në kuptimin e parë të fjalës. Është mbajtës i The Guinness World Rekord si reality show më i ndjekur nga miliona shikues dhe me miliarda shikues në YouTube.
Ky sukses fenomenal global, që ka dominuar për dekada çdo platformë do të vijë në Vizion Plus si “ALBANIAN’S GOT TALENT”. Kush e di, ndoshta një surprizë e dyfishtë edhe për partnerët tanë në biznes, sepse finalja mund të parashikojë edhe mbërritjen e vetë krijuesit të formatit Simon Cowell në studiot tona të prodhimit në Tiranë.
Lexo edhe:
Ka një rritje të popullaritetit të platformave të tilla si Netflix, Disney+, apo Amazon Prime Video, edhe pse në Shqipëri vetëm Netflix ka një numër modest abonimesh. A përbën kjo një konkurrencë për televizionet dhe si po përpiqen këta të fundit të mbajnë pas vetes audiencën?
Nuk ka dyshim që interneti e ka ndryshuar mënyrën e të parit TV. Nuk ka më thjesht një mënyrë qendrore. Laptop, smartphone dhe shumë aksesorë që lidhen me TV na tregojnë që ne e duam TV gjithmonë dhe kudo ku jemi.
Mendohet që streaming krijon 20% të trafikut të matur në internet. Me gjithë këtë fakt, migrimi nga TV nuk është i ndjeshëm dhe ende i paqartë. Po! Ne e kuptojmë që TV shihet më pak dhe platformat OTT janë shtuar, por a ka një lidhje mes tyre? Duket sikur njerëzit e kompletojnë televizorin e tyre edhe me OTT, përveç kanaleve të antenës.
Me pak fjalë, pajisjet “e reja” hyjnë si mjete për përdorimin e televizorit, pa hequr ekranin tradicional. Edhe në OTT ata duan të kenë programet e mediave kryesore si p.sh.: Vizion Plus dhe programet që janë mësuar t’i shohin në programin e tij si p.sh.: “AlPazar” apo “Këngë Moj”.
Ka ende shumë pyetje për t’iu përgjigjur, por një gjë është e sigurt, epoka e shikimit (vizionit) ka për të vazhduar edhe për një kohë të gjatë. Për këtë VizionPlus e ka ditur, e ka në emrin që mban dhe është i përgatitur ta jetojë bashkë me ju.