Në kuadër të rishikimit të Kodit të Transmetimit, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), ditën e enjte, datë 21 Shtator, zhvilloi takimin e dytë konsultativ me institucione publike, shoqata joqeveritare dhe organizata ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut. Kodi i Transmetimit është një nga aktet kryesore nënligjore që rregullon veprimtarinë e operatorëve audio dhe audiovizivë në transmetimin e programeve.
Pas propozimeve dhe sugjerimeve konkrete që janë dërguar në AMA gjatë dy muajve të fundit nga partneret dhe bashkëpunëtorët e drejtorive të ndryshme, si dhe pas përgatijes së draftit të ri mbi tekstin ekzistues, ky takim i dytë ishte një rast i mirë për shkëmbim mendimesh dhe opinionesh bazuar mbi atë cfarë ofrohet në ligj, duke e shtyrë më tej punën për të përmirësuar dukshëm një prej dokumenteve bazë të kuadrit rregullativ të tregut audio dhe audioviziv në Shqipëri.
Në këtë takim u theksua se ky draft i ri i Kodit të Transmetimit, i cili ka pasqyruar propozimet brenda dhe jashtë AMA-s, me një fokus më të madh tek mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtja e të dhënave personale, do të shfaqet për një periudhë 30 ditore para një këshillimi publik. Qëllimi i kësaj forme organizimi është përfshirja në mënyrë sa më të gjerë në këtë proces përpunimi me sugjerime/mendime dhe propozime mbi tekstin aktual të Kodit të Transmetimit nga partnerët, OSHMA-të dhe subjekte a individë të interesuar për të kaluar më pas në miratimin e tij.
Kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala, duke e konsideruar Kodin e Transmetimit, si një ndër aktet nënligjore kryesore në veprimtarine audiovizive, shprehu gatishmërinë e Autoritetit për të vlerësuar maksimalisht në këtë process konsultimi cdo mendim a sugjerim që do të vijë nga partnerët, grupi i interest apo publiku i gjerë
Në takim morën pjesë specialistë dhe ekspertë nga Drejtoria e Programeve, ajo Juridike si dhe nga Këshilli i Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Aktivë në diskutimet e tyre ishin dhe përfaqsues nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale,Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, Agjensia Shqiptare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, Rrjeti për demokraci I grave në Shqipëri,si dhe nga Urdhëri i Mjekut. Gjithashtu të pranishëm ishin dhe përfaqësues të OSBE-së dhe Këshillit të Europës të cilët këshilluan që Kodi të rishihej edhe nga një ekspertizë e huaj, për të qenë më afër standarteve evropiane.
Të gjithë pjesëmarrësit pasi përshëndetën dhe vlerësuan domosdoshmërinë për arritjen e këtyre takimeve, e panë tryezën si një mundësi shumë të mirë për vazhdimin e mbarë të punës si dhe premtuan për dhënien e kontributit të tyre sipas fushave që mbulojnë, në funksion të finalizimit me sukses të kësaj inisiative.