Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ka nisur zbatimi i programit të qeverisë për nxitjen e punësimit.
Sipas kryeministrit, “kushdo që ka larguar punonjës për shkak të pandemisë COVID-19, tani është koha për t’i ripunësuar”.
Rama tha se “duke i ripunësuar, mund të përfitoni pagë dhe kontribute deri në 1 vit”..
“3 programe për stimulimin e bizneseve, që do të ripunësojnë të larguarit nga puna në datat 10 mars-23 qershor. Mos humb kohë, apliko në e-Albania duke klikuar këtu
https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx… Shpejt, pa radhë, pa kosto”, tha Rama.
Programi i qeverisë synon të mbështesë të gjithë ata punëkërkues që dolën të papunë gjatë periudhës 10 mars deri më 23 qershor, kur i gjithë aktiviteti ekonomik u kthye në normalitetin e tij.
Programi ka në vetvete tre skema punësimi 4-mujore, 8-mujore dhe 12-mujore. Skema e parë dhe e dytë targetojnë ata persona që rezultojnë të regjistruar pranë Administratës Tatimore dhe financon pagat minimale për gjysmën e kohës së punësimit dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që janë detyrim i punëdhënësit për të gjithë periudhën.
Skema e tretë e punësimit është 12-mujore dhe ka në fokus personat që nuk kanë qenë të regjistruar pranë administratës tatimore, por që deklarojnë se kanë qenë të punësuar.
Në këtë rast nëse punëdhënësi i kthen në punë dhe skema mbështetëse e qeverisë parashikon financimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, si për punëdhënësin edhe për punëmarrësin.