Episodi i shumëpritur që do të rikthejë edhe një herë Friends në ekran, do të fillojë të xhirohet marsin e ardhshëm. Lajmin e gëzueshëm e ka dhënë një nga pjesëtarët e kastit, Matthew Perry.
“Rikthimi i Friends është caktuar tani të xhirohet në fillim të marsit” shkroi ai në një postim në Twitter. “Duket se ne kemi një vit intensiv përpara dhe kjo na pëlqen!” Episodi special i Friends duhej të kishte filluar xhirimet në gusht por u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ai do të mbledhë bashkë aktorët origjinalë, Matthew Perry, Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer. Deri mëngjesin e të premtes, postimi në Twitter i Perry-t kishte marrë më shumë se 100 mijë pëlqime dhe ripostime. Friends, që sjell fatin e gjashtë miqve të rinj që jetojnë në qytetin e Nju Jorkut, u transmetua nga viti 1994 deri në 2004.
Episodi final i serisë u pa nga 52.2 milionë shikues në SHBA, duke e bërë atë episodin më të shikuar televiziv të viteve 2000. Zërat për një rikthim të Friends u intensifikuan pasi Jennifer Aniston postoi në mediat sociale një foto të aktorëve së bashku, vitin e kaluar. Ajo foto e hedhur në Instagram, në vetëm pesë orë dhe 16 minuta, i dha Aniston 1 milionë ndjekës.
Xhirimet për episodin special të Friends do të mbahen në të njëjtën studio, në Worner Bros, në Burbank, të Kalifornisë. Episodi do të transmetohet në shërbimin streaming të HBO Max në një datë që nuk është përcaktuar ende.