Moderatorja Xhemi Shehu u rikthye mbrëmjen e djeshme në ekranin e “Portokalli”, pas dy vitesh mungesë. Së fundmi moderatorja ka folur për rikthimin e saj në ekran, konkretish në emisionin e humorit, rikthimin në të cilin e konsideron si “histori dashurie.”
“Rikthimi im në “Portokalli” është si taman një histori dashurie nga këto që zihesh, ndahesh dhe bashkohesh prapë se të merr malli se nuk shkëputesh dot. Është e pabesueshme, unë nuk e dija që do rikthehesha. Nuk e mendoja këtë rikthimin. Madje kisha menduar se isha shkëputur përfundimisht nga ekrani. U futa pak në shina me “Qesh mirë kush qesh i fundit” por ai ishte një format i shkurtër. Mendoj se nuk më janë ndezur mirë motorët se pas dy vitesh shkëputje duhet pak punë. Por, ndjesia ime është sikur nuk jam shkëputur asnjëherë duke qenë se edhe me kolegët kam pasur kontakte. Në fakt Salsano u bë shkak i rikthimit. Ai realizoi një takim mes meje dhe drejtuesve dhe ramë dakord për një rikthim.”– u shpreh Xhemi në “Wake Up”.
Në lidhje me shkëputjen e saj nga programi, Xhemi tha se vendosi të largohej për t’ju përkushtuar më shumë familjes dhe punëve private.
“Ishte një periudhë që u lodha. ‘Portokallia’ ka qenë shumë angazhues dhe merrte shumë nga koha ime. Ka qenë periudha kur duhet të fokusohesha te familja ime dhe te disa punë private. Realisht duhet të shkëputesha. Por më vonë kuptova se vendi im është në ekran”- tha moderatorja.
Ndryshe nga sezoni kur iku, Xhemi rikthehet tani jo vetëm krah Salsanos por edhe krah moderatores Fjoralba Ponari. E pyetur për bashkëpunimin me këtë të fundit, moderatorja tha se mes tyre nuk ka asnjë rivalitet dhe se është me fat që moderon krah saj.
“Fjoralbën e njoh që te “E diell”. Më bëhet shumë qejfi që do punojmë bashkë. Kam konsideratat më të larta. Përveçse është e talentuar dhe duket sikur ka një jetë që e bën “Portokalli”, është njeri shumë i mirë dhe sot vuan për njerëz të mirë dhe jam me fat që punoj me të. Nuk e shohim njëra-tjetrën si rivale.”– deklaroi Xhemi.