Njerëzit që kanë një raport të veçantë me Hënën janë klasifikuar edhe si më romantikët, pavarësisht nëse e shprehin shpesh këtë. Një lidhje mistike me Hënën ka edhe këngëtarja Samanta Karavella, e cila sonte sapo ka prezantuar këngën e saj në Këngën Magjike, “Humbur”.
Pak para se ta prezantonte para publikut projektin e saj të ri, Samanta i është nënshtruar një testi që kishte për objekt Hënën, meqenëse këngëtarja ka një raport të veçantë me të: “Hëna më pëlqen sepse më inspiron shumë… Këngët e mia më të bukura i kam bërë kur ka qenë Hënë e plotë”, – thotë Samanta ndër të tjera duke zbuluar një lidhje aspak të zakonshme me Hënën. Duke pranuar që ka një natyrë romantike, Samanta zbulon gjithashtu se nën dritën e Hënës mund të bëjë shumë gjëra: të pijë një gotë verë, në dallgët e detit apo edhe të krijojë…
Drejt Hënës, do të udhëtonte edhe me njeriun e zemrës, por kjo, tha ajo, mbetet për një moment të dytë, duke mos lënë dyshime të tjera: “Kjo vlen për t’u menduar në një moment tjetër, por me personin e zemrës.”
Po cila është ajo pjesë e errët e Samantës që ngjet me Hënën? Edhe për këtë, ajo e ka një përgjigje: “E errëta ndoshta ka të bëjë me atë që, ashtu si edhe Hëna vjen me disa faqe, edhe unë jam e ndryshme, nuk jam asnjëherë njësoj. Gjendja emocionale e shpirtërore ndryshon. Ashtu siç jam e qeshur, ndonjëherë jam edhe pak më nevrike. Këtë do të quaja anë të errët që mund ta personifikoja me Hënën”, – thotë Samanta duke zbuluar edhe një “ves” të vetin.
E rikthyer pas 8-vitesh në Këngën Magjike, Samanta vjen me një baladë të Kledi Bahitit. Ky projekt e sjell këngëtaren në një profil të ri, ndryshe nga të gjitha këngët që ajo ka prezantuar më parë: “Është një këngë që realisht ka një natyrë tjetër nga ajo që kam bërë më parë dhe mua më pëlqen. Nëse gjithmonë ka dy personazhe që duhen dhe ndahen, kënga ime ka dy personazhe që duhen shumë, por që nuk mund të rrinë bashkë…” – tregon Samanta një pjesë të baladës së saj të dashurisë.